×
  • Lajme
  • Lajme

    Haraqija: Jo 7 vjet, po 14 vjet shkoj në burg nëse dikush vërteton se kam marrë qoftë një euro

    Reporteri
    03 Korrik 2019 | 14:45

    Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ukë Rugova, ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija si dhe tre të akuzuarit e tjerë, Izet Beqiri, Qefser Baholli, si dhe Florjan Petani, sërish janë deklaruar të pafajshëm, lidhur me akuzat për dallavere me vizat italiane.


    Pasi që në seancën e së mërkurës është veçuar procedura ndaj tyre, pesë të akuzuarit kanë mohuar akuzat me të cilat ngarkohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Ukë Rugova, avokati Nexhat Shabani, ka thënë se mbeten pranë kundërshtimeve të aktakuzës, duke thënë se gjatë procesit do të bindet trupi gjykues, se kjo aktakuzë është e pa qëndrueshme.

    “Klienti im do të del i pafajshëm”, ka thënë avokati Shabani.Ndërkaq, Ukë Rugova ka thënë se përkrah deklarimin e mbrojtësit të tij, duke thënë se nuk ka se çfarë të shtojë më shumë.

    I akuzuari Astrit Haraqija, ka thënë se gjatë kohës sa ka qenë ministër ka rekomanduar viza, por këtë thotë se e ka bërë për federata të ndryshme të sportit.Por, ai ka thënë se nëse një person gjendet se ai ose Ukë Rugova i kanë marr vetëm një euro, atëherë ai do të jep përgjegjësi lidhur me këtë.“Pas vitit 2008, si kryetari i qeverisë lokale kom rekomandu për viza edhe si ministër po ashtu. Unë kam rekomandu mbi 32 federata, pastaj si ministër po ashtu kam rekomanduar. Këtë e kanë bërë edhe ministra të tjerë për viza në ambasadë. Këto janë lojëra politike nëse del një person që mua apo Ukës naj ka dhënë një euro, jo 7 vjet, por 14 vjet shkoj në burg”, ka thënë Haraqija.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Izet Beqiri, avokati Besnik Berisha, ka thënë se pasi që prokuroria është zënë ngushtë me statistika për mungesë të rezultateve, sipas tij, ka filluar të merret me emra të përveçëm.“Ky rast është një rast që në historinë e drejtësisë nuk ndodh shpesh për shkak se nga gjykata nuk lejohen manipulimet dhe fabrikimet në interpretimin e fakteve thelbësore, siç ka ndodh në këtë rast. Me ketë çështje penale ishte një herë në gjyqtar i EULEX-it, që e kthej aktakuzën mbrapsht, që kërkoi që prokuroria të specifikojë veprimet e secilit të akuzuar, veç e veç. Kur aktakuza është kthyer për ndryshim neve si anë e kundërt e prokurorisë na priu fati i keq sepse gjyqtarit i mbaroj misioni sepse në rreshta të vendimit të tij fundi i kësaj aktakuze veç dihej.”, ka thënë avokati Berisha.Sipas tij, pastaj këtë lëndë e mori një gjykatës tjetër, duke i dhënë kohë prokurorit që të ndryshonte aktakuzën, por që siç ka thënë ai, përveç që nuk ishte respektuar koha, ishte pranuar një aktakuzë me një titull të ndryshuar, e asgjë më shumë.

    “Për herë të parë e dëgjon fjalën kontrbandim me emigrantë dhe kalim ilegal të kufirit për persona që janë pajis me vizë të rregullt nga një autoritet pjesë e marrëveshjes shengen”, ka thënë ai.Ai ka deklaruar se do të provohet se askush nga ata që ka marrë rekomandim nga familja Rugova, nuk ka bërë kalim të kundërligjshëm të kufirit.“Asnjë qytetar, as këta këtu, e as ata që janë shkru nuk do të vijnë para kësaj gjykate, e as prokuroria nuk do ta provoj se kanë kaluar kufirin pa i përfillur kushtet e atij shteti. Asnjë nga të rekomanduarit nuk kanë qenë, e nuk kanë mbet emigrant në asnjë shtet të botës. Paska shkru rekomandim se persona të caktuar ishin apo janë favorizues të LDK-së, pjesëmarrës aktiv në fushata, me role qoftë në fushën e sigurisë, qoftë në fushën e logjistikës, qoftë në fushën e mbledhjes së donacioneve për fushata dhe mbi këtë bazë t’i kërkosh një autoriteti për të lëshuar një vizë duke respektu rregullat e ambasadës nuk ka qenë dhe nuk do të mbetet krim asnjëherë”, ka shtuar avokati Berisha.

    Ai ka thënë se në bazë të këtyre fakteve, demantohet çdo pretendim për krim të organizuar.Sipas tij, do të provohet se asnjë qytetar i vetëm, i cili është në këtë dosje me plotë defekte të prokurorisë, nuk e ka paguar asnjë cent të vetëm, as te Ukë Rugova, as te Izet Beqiri, apo te të tjerët.“Do të mundohemi të sigurojmë edhe prezencën e ish-ambasadorit të Italisë për ta pyetur se a i ishte ofruar, premtuar apo a ka pranuar ryshfet, a është kanosur për të aprovuar viza të qytetarëve që paraqiten këtu si të kundërligjshme”, ka thënë tutje avokati Berisha.Mbrojtësi i të akuzuarit Qefser Baholli, avokati Asdren Hoxha, ka thënë se Prokuroria nuk do të arrijë të vërtetojë gjendjen faktike si në aktakuzë, dhe sipas tij, ky gjykim si epilog do të ketë aktgjykim lirues.

    Ndërkaq, edhe i akuzuari Florjan Petani ka mohuar pretendimet e prokurorisë, se ai është i përfshirë në vepra penale që lidhen me këtë rast.Pasi që është bërë veçimi i procedurës, prokurorja Floria Shamolli ka thënë se duhet me vendos se cilët dëshmitarë do të ftohen për të dëshmuar.“Do të bëjë me kohë një propozim për dëshmitarë dhe do të njoftojë gjykatën”, ka thënë prokurorja Shamolli.

    Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 16 shtator 2016, në ora 09:00.Ndryshe, seanca e paraparë më 14 qershor 2019, kishte dështuar të mbahej pasi kishin munguar pesë të akuzuarit në këtë rast, Florjan Petani, Adem Koskoviku dhe Fadil Ahmeti, Hasan Shaqiri dhe Beg Shaqiri. Kjo kishte bërë që as pas më shumë se një viti e gjysmë të mos vazhdonte gjykimi në këtë rast.

    Ndryshe, në nëntorin e vitit 2017, kur ishte mbajtur seanca e fundit, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.Pasi që lënda ishte transferuar te gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.Në seancën e 29 janarit, gjykatësja Krasniqi-Jashanica kishte njoftuar se do të bisedojë me prokuroren Florije Shamolli lidhur me veçimin e procedurës ndaj disa të akuzuarve, mirëpo lidhur me këtë ende nuk ka ndonjë përgjigje nga ana e gjykatës.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!