Në Shkodër nuk ka kuptim nëse nuk ke një biçikletë. Një lidhje e hershme e banorëve me këtë mjet, por që për të pasionuarit shkon më tej.
Ata koleksionojnë tipa të ndryshme biçikletash deri tek ato të personalizuara që nuk shiten asnjëherë. I tillë është edhe Sokol Gjoni.
Për shkodranët, biçikleta është liri. Nuk ka shtëpi pa një të tillë. Sokol Gjoni çdo gjë në jetë e lidh rreth këtij mjeti. I njeh deri në detaje. Një dashuri e cila nisi në moshën 13-vjeçare.
“Ka qenë një biçikletë “Ylli” në moshën 13-vjeçare. Unë punova verë dhe e bleva. Mandej nuk i jam ndarë më biçikletës”, tha Sokoli.
Tregon për biçikletat që sot preferohen në treg. Biçikleta për ecje në mal, ato që mundësojnë edhe terrene shumë të vështira, ato për rrugë të gjata dhe biçikleta për gara. Lidhja e tij me këtë dy rrotak është e veçantë. Pavarësisht ofertave për blerje, disa lloje ai nuk i shet, por i koleksionon. Ai flet për detaje si duhet trajtuar një biçikletë.
“Si njeri në kuptimin e fjalës se biçikleta ka një shpirt. Nuk merret biçikleta dhe hidhet për tokë”, tha Sokoli.
Ajo që përdor Sokoli është 28-vjeçare. Por shumë nga biçikletat që ka në punishten e tij janë më shumë se 40 vjet. Më e veçanta është ajo e tipit “Mercedes-Benz”. Janë prodhuar vetëm 200 copë në gjithë botën dhe të personalizuara. Ai nuk i ka vënë çmim dhe sido ti paraqiten nevojat e jetës, nuk do t’ia japë askujt.
“Kjo është e rrallë sepse është një biçikletë që nuk ka dalë në treg. Pra janë bërë dhuratë kur ka dalë “McClaren Mercedes” makina. Janë dhënë personave që e kanë blerë. Si këto janë pak në botë”, tha ai.
Shkodra njihet si një qytet që lëviz mbi dy rrota. I pari që u pa ne vitin 1907 të lëvizte me një mjet të tillë, ishte një i huaj, konsulli i nderit i Suedisë. Shkodranët u bënë kuriozë dhe vrapuan ta shikonin ç’është ky dy rrotësh që nuk tërhiqet nga kafshët. Në fundin e viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur Shkodra kishte rreth 60.000 banorë, ka të dhëna se në qytet numëroheshin mbi 10.000 biçikleta./abc/