Iniciativa Ballkani i Hapur ka potencial për të aktivizuar të gjithë potencialin ekonomik të këtij rajoni dhe për të tërhequr edhe më shumë investime të huaja, tha ambasadori amerikan në Serbi Christopher Hill në një bashkëbisedim me biznesmenë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Serbi.
Ballkani i Hapur një iniciativë e kryesuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në Kosovë kundërshtohet, dhe shkohet deri në atë pikë, sa në qarqe të caktuara cilësohet si tradhti ndaj Kosovës nga kryeministri shqiptar. Madje, kjo iniciativë proklamohet sikur nuk mbështetet nga shtetet mike të Kosovës. Por, ndryshe po flasin zyrtarët amerikanë.
Ambasadori amerikan në Bedograd, Christopher Hill, një diplomat me përvojë të jashtëzakonshme në rajonin tonë, sidomos gjatë luftërave të ish’Jugosllavisë, ka përkrahur këtë iniciativë, te e cila thotë se sheh potencial të madh për të aktivizuar ekonominë e vendeve të rajonit, dhe tërheqjen e investimeve, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Serbi, Stefan Lazareviq dhe Hill, theksuan rëndësinë e përparimit të mëtejshëm të Serbisë në anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe theksuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Qeverinë e Serbisë në të gjitha proceset e rëndësishme reformuese që përmirësojnë më tej mjedis biznesi.
“Serbia është kthyer në një destinacion kyç investimi në Evropë. Kompanitë amerikane kanë investuar më shumë se katër miliardë dollarë në Serbi dhe punësojnë më shumë se 20,000 punëtorë. Ka potencial të madh për rritje të mëtejshme, theksoi Hill.
Hill shtoi se ai është i bindur për përpjekjet e Dhomës për të mbështetur vlerat amerikane, duke përfshirë krijimin e kushteve të barabarta për të gjitha bizneset, si dhe përmirësimin e transparencës, sundimit të ligjit, dixhitalizimit, diversifikimit të energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit.
“Këto janë parimet që do ta ndihmojnë Serbinë jo vetëm të tërheqë kompani të reja, por edhe të bëhet anëtare e BE-së, bllokut më të madh tregtar në botë”, vlerësoi Hill.
Lazareviq dhe Hill mbështetën bashkëpunimin ekonomik rajonal nëpërmjet nismave të tilla si Ballkani i Hapur, që synon reduktimin e barrierave për tregtinë dhe udhëtimin midis vendeve në rajon, thuhet në deklaratë. /Reporteri.net