Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka dalë me reagim në lidhje me pagesat e subvencioneve për këtë vit, pasi Gazeta Online Reporteri.net raportoi se edhe pse pretendohej se mbështetja për kultivuesit e kungujve e misirit, krahasuar me vitin 2020, është rritur nga 300 në 545 euro, në fakt është zvogëluar në 150 euro.
Përmes një postimi në Facebook, MBPZHR-ja e ka quajtur “gabim teknik” pretendimin se ka rritur përkrahjen për kultivuesit e perimeve, veçanërisht për kultivuesit e kungujve të misirit.
“Kërkojmë ndjesë për një lëshim teknik gjatë paraqitjes vizuale të shifrave të përkrahjes për perime në Programin e Pagesave Direkte / Subvencioneve 2022.
Për dallim nga kulturat e tjera perimtare, përkrahja për kunguj dhe kunguj misiri këtë vit është 150 euro”, kanë thënë MBPZHR-ja.
Këto shifra u demantuan nga Udhëzimi Administrativ për pagesat direkte në bujqësi për vitin 2022 që e ka nxjerrë vetë kjo Ministri, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas këtij udhëzimi, subvencionimi për kultivuesit e kungujve të misirit, në fakt është 150 euro. Aty potencohet se mbështetja për 1 hektar për ata që mbjellin kunguj të misirit është 150 euro.
“Subvencionimi në vlerë prej 150 euro/ha, për kulturën perimore kunguj dhe kunguj të misirit”, thuhet në udhëzimin administrativ. /Reporteri.net