Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq i cili ndodhet për herë të parë në vizitë zyrtare në Kosovë tha se Mali i Zi dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore.
Ai në konferencë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se e mbështesin e aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shkruan Reporteri.net.
“Po përcjellim edhe zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi. Ne e mbështesim dialogun politik mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe besojmë që vetëm dialogu politik mund të çojë te një zgjidhje”, ka thënë ai.
Gjukanoviq u pyet edhe për çështjen e demarkacionit, teksa tha se kanë folur për këtë temë edhe me presidenten Osmani. Gjukanoviq përmendi marrëveshjen e nënshkruar më 2015 dhe tha se çështja e demarkacionit mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme
Megjithatë, ai tha një komision i përbashkët do të shikojë për korrigjimet.
“Dua të përgjigjem drejtpërdrejt. Kemi folur për të gjitha temat, që nuk janë probleme por çështje që kërkojnë zgjidhje, edhe për çështjen e kufirit. Miqësia arrihet me vështirësi dhe kur të arrihet duhet të ruhet me kujdes. Kemi marrëveshjen e nënshkruar më 2015.
Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme. Ne nuk duam të krijojmë probleme. Jam i sigurtë se do tu përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar dhe përmes punës së përbashkët të komisionit për demarkacion të krijojmë kushte për korrigjime për të cilat do të pajtohemi dhe që do të kontribuojnë që ky kufi të jetë i logjikshëm dhe ashtu si duhet të jetë dhe të mos shërbejë si temë për rrezikimin e marrëdhënieve tona”, u shpreh Gjukanoviq në konferencë për media/Reporteri.net