×
  • Lajme
  • Lajme

    “Në emër të popullit të Kosovës…”, kështu i shpalli Specialja fajtorë dhe i dënoi me nga katër vjet e gjysmë burg Gucatin e Haradinajn

    Reporteri
    18 Maj 2022 | 20:39

    Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, drejtues të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë shpallur sot fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë nga Gjykata Speciale. Janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë. Gazeta Online Reporteri.net ka bërë një përmbledhje të krejt asaj çka u tha në seancën e sotme.

    Në emër të popullit të Kosovës…”, me këtë fjali, gjykatësi Charles Smith III i Dhomave të Specializuara e shpalli aktgjykimin në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, drejtues të OVL e UÇK’së, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ata u shpallën fajtorë dhe u dënuan nga Specialja me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe gjoba prej 100 euro për pengim të administrimit të drejtësisë.

    Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

    “Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtorë për: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e veprimeve zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi, frikësim sipas procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës të zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, tha gjykatësi Charles Smith III.

    Shpalljen e këtij aktgjykimi dënues, Haradinaj e priti me buzëqeshje. Ai u pa në seancë me një kollare me flamurin kombëtar të shqiptarëve, të njëjtë me një që kishte ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, para disa ditësh.

    Kur mund të lirohen Gucati e Haradinaj, bazuar në Aktgjykimin e sotëm?

    Pas shpalljes së aktgjykimit, ekipet mbrojtëse të Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit konfirmuan se do të apelojnë aktgjykimin dënues për dy të akuzuarit.

    Vendimi mund të apelohet nga palët brenda 30 ditësh te paneli i Gjykatës së Apelit në Hagë, që funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

    E kur merret vendimi i formës së prerë, sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe ZPS-së, të dënuarit e vujanë dënimin në njërin prej shteteve, që kanë shprehur gatishmëri të pranojnë personat e dënuar nga kjo gjykatë. Shtetin se ku kryhet dënimi e cakton kryetari i Dhomave të Specializuara.

    Gucati e Haradinaj deri tash kanë kaluar 20 muaj në burg. E nëse Aktgjykimi i sotëm mbetet në fuqi, ata do t’i kalojnë edhe 34 muaj në burg apo dy vjet e 10 muaj.

    Në bazë të këtij Aktgjykimi, dy ish-pjesëtarët e UÇK-së pritet të lirohen në janar të vitit 2025.

    Prokurori Smith mirëpret vendimin e Gjykatës Speciale për Gucatin dhe Haradinajn

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e shqiptuar ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

    Përmes një komunikate për media, Prokurori i Specializuar, Jack Smith, e ka quajtur të drejtë dënimin ndaj Gucatit dhe Haradinajt, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Sot është vendosur drejtësi. Z. Gucati dhe Z. Haradinaj janë shpallur fajtorë për krimet e tyre, pas një gjykimi transparent, të kujdesshëm dhe të drejtë të këtij rasti të rëndësishëm,” tha Prokurori i Specializuar. Ashtu siҫ u deklarua sot nga Trupi Gjykues, mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe lëndimi qëndron në themel të ҫdo sistemi të drejtësisë penale – aktet dhe sjellja e të akuzuarve iu kundërvunë pikërisht këtij themeli. Aktet dhe deklaratat në këtë lëndë kanë ndodhur në një klimë frikësimi, siҫ ishin gjetjet e gjykatësve sot,” tha Smith.

    Tutje, ai ka ripërsëritur se do të punojë e të angazhohet me vigjilencë për të hetuar raste të ngjajshme të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë fuqishëm hetimet dhe ndjekjen penale të të gjitha akteve të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mundësinë unike që të japin drejtësi për viktimat sepse ato janë një vend i sigurt ku dëshmitarët mund të flasin hapur për krimet që kanë parë dhe pësuar përpara më shumë se 20 viteve. Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit. Nëse përpiqeni të frikësoni apo të hakmerreni ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, unë do të bëj gjithҫka që është në pushtetin tim dhe të sigurohem që ju të dilni përpara drejtësisë”, ka thënë ai.

    Reagimi i OVL e UÇK-së pas Aktgjykimit dënues

    Pas shpalljes së aktgjykimit dënues, ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku. Ai e ka vlerësuar dënimin si vendim “politik”.

    “Me të gjitha mundësitë tona ne do ta pengojmë funksionimin e saj [Gjykatës Speciale], sepse nuk i ndjek krimet e luftës, por i ndjek shqiptarët. Po t’i ndiqte krimet e luftës, do duhej t’i ndiqte krimet dhe masakrat që i ka shkaktuar Serbia pushtuese në Kosovë” , tha Kliniku.

    Çka thuhet në aktakuzë?

    Në aktakuzën e ZPS-së thuhet se me rastin e tri konferencave për shtyp dhe ngjarjeve të tjera të transmetuara, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë zbuluar, pa autorizim, informacione të mbrojtura me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke përfshirë detajet identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), shkruan Reporteri.net.

    Aty thuhet se në mes prillit dhe shtatorit 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj bënë deklarata abuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me ZPS-së, dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

    “Në bazë të fakteve të paraqitura në paragrafët 4-22, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj mbajnë përgjegjësi penale individuale për çdonjërën nga veprat penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Frikësimi gjatë procedurës penale”, “Hakmarrja”, “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”. Sikurse përshkruhet në paragrafët 45-46, ata kishin dijeninë dhe synimin e nevojshëm për çdonjërën nga veprat penale”, thuhet në aktakuzë.

    Kur u arrestuan Gucati e Haradinaj?

    Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ishte arrestuar më 25 shtator të vitit 2020, në zyrat e kësaj organizate në Prishtinë nga pjesëtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX), shkruan Reporteri.net.

    Disa ditë para arrestimit të tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë kishte thënë se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

    Të njëjtën ditë, ishte arrestuar edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Ai ishte arrestuar para objektit ku ndodheshin zyrat e një televizioni, ku Haradinaj ishte i ftuar për intervistë.

    Ndryshe, Gjykata Speciale në Hagë vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

    Themelimi i saj ka ardhur pas një raporti të Këshillit të Evropës, në vitin 2011, i cili ka përmbajtur akuza ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq e të tjera. Autor i këtij raporti ka qenë ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!