×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas QUINT-it, reagon edhe shefi i BE-së: Toka e kontestuar, t’i kthehet Manastirit të Deçanit

    Reporteri
    20 Maj 2022 | 14:25

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta zbatojnë shpejt dhe plotësisht vendimin për kthimin e pronave të manastirit të Deçanit.

    Szunyog shkroi në Twitter se kjo do të konfirmonte përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit si parim udhëzues të BE-së.

    “Kanë kaluar gjashtë vjet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili konfirmoi pronësinë e tokës së kontestuar të manastirit të Deçanit. U bëj thirrje institucioneve të Kosovës që të zbatojnë shpejt dhe plotësisht vendimin dhe të riafirmojnë përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit si një parim udhëzues i BE-së”, shkroi Szunyog.

    Pesë vendet e QUINT-it në Kosovë, që përbëhen nga Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një deklaratë të lëshuar sot, i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të nis zbatimin e vendimit të Kushtetueses për pronësinë e Manastirit të Deçanit.

    Deklarata e plotë:

    Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar.

    Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

    Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës. Prandaj, sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!