LDK ka mbajtur konferencë për media për vizitën e kryeministrit Kurti në SHBA.
Nënkryetarja e kësaj partie, Shqipe Mjekiqi, ka thënë në konferencë se LDK e sheh si një vizitë që zgjati dy javë e gjysmë, por që nuk pati takime me zyrtarë të lartë në SHBA, përcjellë Gazeta Online Reporteri.net.
“Kryeministri Kurti përfundoi vizitën gati tre javëshe në SHBA pa asnjë takim me zyrtarë të lartë, e pa pritje institucionale shtetërore. Mungesa e takimeve e nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, shpërfaq pafuqinë e kryeministrit Kurtit për t’i hapur dyert në nivelet më të larta të politikë bërjes”, tha nënkryetarja e LDK-së.
“Shëtitjet 18 ditore të Kurtit në SHBA në kohë krize në vend, zbehin peshën e vizitave që ka pasur Kosova çdoherë”, shtoi ajo.
“Kjo vizitë ishte e papërgatiur mirë”, tha anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, duke shtuar se nga ajo që pamë ishin takime pa ndonjë strategji të mirëfilltë.
“Nga ajo që pamë ishin takime at-hoc pa një strategji të mirëfilltë. Dinamika e zhvillimeve nuk lejon që kryeministri të shkojë pa u dakorduar mirë. Nëse qëllimi kryesor i shëtitjes së Kurtit në SHBA ka qenë diplomacia ekonomike, kjo nuk është bërë në mënyrën e duhur dhe është bërë pa program. Kurti tregon që është i vetëmjaftueshëm dhe nuk ka strategji kur i qaset kompanive të huaja”, tha Hamiti./Reporteri.net/