×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti e takon Abazoviqin në Davos, nuk e çelin temën e demarkacionit

    Reporteri
    24 Maj 2022 | 20:29

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar për herë të parë me Dritan Abazoviq, pas zgjedhjes kryeministër i Malit të Zi, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti fillimisht e ka uruar Abazoviqin për marrjen e detyrës, shkruan Reporteri.net.

    Por, dy kryeministrat se kanë hapur fare temën e demarkacionit. Së paku për këtë s’ka njoftuar ZKM’ja.

    “Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, Kryeministri Kurti e falënderoi z. Abazoviq për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha. Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, kryeministri Abazoviq tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët”, thuhet në njoftim.

    Sipas ZKM’së, u diskutua edhe për çështje të tjera, që lidhen me lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, bashkëpunimin në fushën e ekonomisë.

    “U diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet. U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve. U bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi, si dhe për organizimin e një mbledhje G2G ndërmjet të dy qeverive brenda këtij viti”, thuhet në fund.

    Ndryshe, Abazoviq ka deklaruar javë më parë se çështja e demarkacionit të kufirit me Kosovën ka marrë fund.

    Ai ka thënë se ajo temë është mbyllur në momentin kur është nënshkruar.

    “Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë Abazoviq.

    Ndryshe nga Abazoviq ka deklaruar Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Gjatë vizitës në Kosovë, ai tha se çështja e demarkacionit mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme

    Megjithatë, ai tha një komision i përbashkët do të shikojë për korrigjimet.

    “Dua të përgjigjem drejtpërdrejt. Kemi folur për të gjitha temat, që nuk janë probleme por çështje që kërkojnë zgjidhje, edhe për çështjen e kufirit. Miqësia arrihet me vështirësi dhe kur të arrihet duhet të ruhet me kujdes. Kemi marrëveshjen e nënshkruar më 2015.

    Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme. Ne nuk duam të krijojmë probleme. Jam i sigurt se do tu përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar dhe përmes punës së përbashkët të komisionit për demarkacion të krijojmë kushte për korrigjime për të cilat do të pajtohemi dhe që do të kontribuojnë që ky kufi të jetë i logjikshëm dhe ashtu si duhet të jetë dhe të mos shërbejë si temë për rrezikimin e marrëdhënieve tona”, u shpreh Gjukanoviq./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!