Zyra e Rregullatorit për Energji ka mbajtur sot takim me përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Kosovë, ku është diskutuar për situatën e krijuar pasi Gjykata e Apelit vërtetoi aktvendimin e Themelores për tarifat e shtrenjta të energjisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, ZRRE’ja ka thënë se ka njoftuar përfaqësuesit e Ambasadës “për paqartësitë e implementimit si edhe për vështirësimin e mëtejmë të situatës tashmë të rënduar të sektorit të energjisë në vend”.
“ZRrE i njoftoi përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane për paqartësitë e implementimit si edhe për vështirësimin e mëtejmë të situatës tashmë të rënduar të sektorit të energjisë në vend. Ndër të tjera diskutime, u elaboruan edhe veprimet procedurale të ndërmarra në këtë proces nga ZRrE, e së fundmi me parashtrimin e mjetit të jashtëzakonshëm juridik, krahas kërkesës për Mendim Juridik, në Gjykatën Supreme të Kosovës, si edhe me kërkesat tjera për sqarime ligjore tek organet kompetente të drejtësisë lidhur me implementimin e vendimit gjyqësor”, thuhet në njoftim.
Postimi i plotë:
ZRrE sot ka mbajtur një takim të përbashkët me përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Kosovë, të cilët, për së afërmi u njoftuan rreth zhvillimeve të fundit në sektorin e energjisë, dhe në veçanti, u diskutua rreth situatës së krijuar si pasojë e procesit gjyqësor, në të cilin proces, me një vendim për masë të përkohshme, është pezulluar ekzekutimi i vendimit të ZRrE-së për tarifat me pakicë të energjisë elektrike.
ZRrE i njoftoi përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane për paqartësitë e implementimit si edhe për vështirësimin e mëtejmë të situatës tashmë të rënduar të sektorit të energjisë në vend. Ndër të tjera diskutime, u elaboruan edhe veprimet procedurale të ndërmarra në këtë proces nga ZRrE, e së fundmi me parashtrimin e mjetit të jashtëzakonshëm juridik, krahas kërkesës për Mendim Juridik, në Gjykatën Supreme të Kosovës, si edhe me kërkesat tjera për sqarime ligjore tek organet kompetente të drejtësisë lidhur me implementimin e vendimit gjyqësor.
ZRrE në fund falënderoi përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane për përkrahjen e vazhdueshme ndaj ZRrE-së si dhe sektorit të energjisë në përgjithësi dhe u zotua që të bashkëpunojë me të gjithë akterët relevantë të sektorit të energjisë, në drejtim të arritjes së një zgjidhje sa më të pranueshme për të gjitha palët.