×
  • Sport
  • Sport

    Edvin Kurtulus e fshin nga “Instagrami” edhe foton ku thoshte se krenohej që luan për Kosovën

    Reporteri
    27 Maj 2022 | 20:00

    Disa javë më parë, të luante për Kosovën dhe si kapiten i U21 ishte një nder për të. Megjithatë, duket se çdo gjë tani ka marrë kahje tjetër.

    Edvin Kurtulus ka vendosur ta braktisë ekipin e Kosovës dhe ta përfaqësojë Suedinë.

    Kjo u konfirmua edhe sot nga Kosova në konferencë për media.

    Kurtulus deri sot, disa orë më herët, mbante në profilin e tij në “Instagram” fotografi me fanellë të Kosovës.

    Në një foto të publikuar javë më herët, si kapiten i U21, ai krahas fotos, shkruante: “Gjithmonë një nder”.

    Por, tani kjo më për të nuk vlen. Ai ka fshirë çdo fotografi dhe çdo gjë tjetër që e lidhte me Kosovën.

    Në llogarinë e tij në “Instagram” tani mund të shohim vetëm fotografi me skuadrën e tij suedeze, Hammarby, dhe fotografi të tjera të tij personale.

    Edvin Kurtulus më herët e kishte fshirë nga biografia e tij edhe informatën se luan te Kosova.


    Mbrojtësi 22-vjeç deri më tani ka luajtur për ekipin e shpresave të “Dardanëve”, Kosovën U-21. Madje ishte edhe kapiten i kësaj skuadre.

    Ndërsa, përzgjedh përzgjedhësi Alain Giresse e përfshiu atë në listën e Kombëtares A, të cilën e publikoi para pak ditësh, për ndeshjet e qershorit të Ligës së Kombeve. Por, në fund Kurtulus nuk iu bashkua ekipit.

    Ai tani po planifikon t’i bashkohet Kombëtares së Suedisë, e cila ia ka hapur dyert. Një rast goxha i njëjtë me Ardian Ismajlin, ish kapitenin e Kosovës U-21, i cili kishte befasuar me transferimin e tij te Kombëtarja A e Shqipërisë.

    Suedezët edhe më herët e kishin ftuar Kurtulusin, por në ekipin U-21. Por, lojtari kishte refuzuar ta lë shiritin e kapitenit të “Dardanëve” të rinj për të rinjtë suedezë, shkruan Gazeta Express. Mirëpo, besohet se tani Suedia ia ka hapur dyert e Kombëtares A, e cila sikur po e joshë mbrojtësin anësor.

    Suedia sot e ka zbuluar listën e futbollistëve për ndeshjet e qershorit. Pjesë e kësaj liste nuk është Kurtulus. Por, mediat skandinave po thonë se Kurtulus do të ftohet në grumbullimin tjetër të Suedisë pasi paraprakisht duhet t’i rregullohet i gjithë dokumentacioni që e kërkojnë rregulloret e FIFA-s.

    “Aksioni” i suedezëve nuk është i rastësishëm. Kjo pasi Kurtulus është bërë emër i njohur dhe i dëshmuar në Suedi, ku lojtari është lindur dhe bën karrierë. Ai po luan rregullisht për Hammarbyn, ekip i cili po kryeson në elitën e futbollit suedez.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!