Babai i Hysni Gucatit, Avdullah Gucati, i cili vdiq sot, do të varroset nesër në Marinë të Skënderajt. Por ende nuk dihet nëse djalit të tij, Hysniu, do t’i lejohet ardhja në Kosovë për të marrë pjesë në varrim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Nga Gjykata Speciale, as nuk e kanë pohuar e as mohuar një mundësi të tillë, duke thënë se për një gjë të tillë do të vendosë paneli.
“Siç mund ta dini, z. Gucati ishte në Kosovë dy javë më parë për një vizitë mbi bazën e arsyeve bindëse humanitare. Kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara lejon personat e paraburgosur t’i bëjnë kërkesa panelit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për çdo kërkesë të tillë”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Klan Kosova.
Hysni Gucati ishte në Kosovë më 12 maj, pasi babai i tij ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe e vizitoi atë në spital.
Ndryshe, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, drejtues të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë shpallur fajtorë, para një jave, për pengim të administrimit të drejtësisë nga Gjykata Speciale.
Ata u dënuan nga Specialja me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe gjoba prej 100 euro për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në dënim do t’ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.
“Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtorë për: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e veprimeve zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi, frikësim sipas procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës të zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, tha gjykatësi Charles Smith III./Reporteri.net