×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Të paktën 24 pushues vdiqën në plazhet e Shqipërisë, por edhe ky sezon pa roje në plazhin e Velipojës

    Reporteri
    05 Qershor 2022 | 21:15

    Të paktën 24 pushues humbën jetën në plazhet e Shqipërisë gjatë verës së kaluar. 8 prej tyre vetëm në bregdetin e Velipojës.

    Sezoni i ri turistik është çelur zyrtarisht, por problemet në garantimin e sigurisë së pushuesve mbeten të njëjta. Velipoja, plazhi më i madh e më i frekuentuari në veri të vendit ka mungesë të rojeve bregdetare. Kullat e vrojtimit janë vendosur, por brenda tyre nuk qëndron askush.

    “Mjafton një vëzhgim i thjeshtë për të kuptuar se në vijën bregdetare mungojnë bovat e sigurisë të cilët përcaktojnë zonat e rrezikut për mjetet ujore dhe rojet bregdetare”.

    Pushues nga i gjithë vendi kanë populluar edhe plazhet e Vlorës, ndonëse elementet e sigurisë mungojnë. Një pjesë e madhe e hapësirës bregdetare nuk ka vrojtues. Po ashtu nuk është përcaktuar perimetri i sigurisë për lëvizjen e skafeve turistike apo motorëve të ujit, që vazhdimisht kërcënojnë jetën e pushuesve.

    Bregdeti i Velipojës ka një vijë bregdetare prej 18 km dhe mbetet një nga destinacionet më të parapëlqyera për vendasit dhe vizitorët e trevave shqipfolëse. Popullimi i saj ka nisur, megjithatë siguria e pushuesve mbetet në pikëpyetje ndonëse është një detyrim ligjor për subjektet private apo në hapësirën publike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!