×
  • Lajme
  • Lajme

    Gazetat gjermane: Vuçiq po përgatitet t’i kthejë shpinën Putinit

    Reporteri
    07 Qershor 2022 | 13:49

    Nëse duhet të zgjedhë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zgjedhë BE-në para Rusisë, shkruan shtypi gjerman. Pengimi i vizitës së ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov ishte një leksion i fuqishëm në gjeografi, që tregon se ku ndodhet Serbia.

    Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov nuk ishte në gjendje të vizitonte Beogradin të hënën (6 qershor) pasi fqinjët e Serbisë ndaluan fluturimin e avionit të tij. Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) shkruan se kështu ka dështuar takimi i presidentit të Serbisë dhe “njeriut që prej vitesh i zbukuron luftërat e Putinit në skenat ndërkombëtare”.

    “Dhe kishte tema të rëndësishme për bisedime,” kujton gazeta një marrëveshje me Gazprom nga e cila Serbia – të paktën kështu pretendon Vuçiq – duhet të marrë gazin me një çmim të mirë për tri vitet e ardhshme.
    “Lajmi u interpretua më së shumti si shpërblim rus për qëndrimin e Serbisë ndaj Kremlinit, kryesisht për refuzimin për t’iu bashkuar sanksioneve”, shkruan gazeta gjermane, përcjell Reporteri.net.

    “Por nuk mund të anashkalohet fakti që Vuçiq ka kohë që po përpiqet të largohet me kujdes nga Putini. Një tregues i kësaj janë raportet dhe deklaratat e herëpashershme kritike në perandorinë e televizioneve, portaleve dhe tabloideve, të cilat drejtohen nga njerëz të afërt të Vuçiqit dhe që raportojnë gjithmonë në favor të tij”, shton gazeta, duke theksuar se mediat madje kanë dëgjuar se ishte ‘mysafir që ftoi vetën’”.

    “Kur e lexon mes rreshtash këto fakte tregojnë se presidenti serb nuk është një ideolog, por një njeri i pushtetshëm pragmatik. “Ai nuk ka asgjë kundër shpalljes së vëllazërisë me Rusinë, kur kjo i sjell dobi politikisht në vend, por nuk dëshiron të hyjë në një vëllazëri gjaku në mes të luftës me Rusinë, e cila mund të shkatërrojë përfundimisht ekonominë serbe”, ka thënë autori i artikullit Michael Martens.

    Teksti shton se në Beograd qarkullonin ‘llafe’ se kancelari gjerman Olaf Scholz mund të anulonte vizitën e tij në Serbi nëse Lavrov vinte para tij, dhe se edhe Vuçiq foli për këtë çështje në Pink TV, një televizion privat serb.

    “Kjo kthesë e lehtë tregon se në kushtet aktuale, politika e Vuçiqit me lëkundje mes Lindjes dhe Perëndimit është e vështirë të mbahet”, thuhet në tekst.
    “Mund të ndodhë që Kremlini të mos i pëlqejë vendimet e ardhshme të Serbisë”.

    Artikulli kujton se Vuçiq citoi një deklaratë që i atribuohet shkrimtarit amerikan Ambrose Beers disa vite më parë: “Lufta është një mënyrë që Zoti t’u mësojë njerëzve gjeografinë”.

    “Këto ditë edhe rusofilët serbë kanë marrë një mësim në gjeografi,” shkruan Frankfurter Allgemeine .

    “Serbia mund të kufizohet me Rusinë në fantazitë e saj, por është ndryshe në hartë”.

    “Vuçiq e dinte këtë të vërtetë të thjeshtë edhe më parë, dhe tani po e menaxhon aq sa po mundet”.

    Gazeta e Berlinit, Tageszeitung thekson se Lavrov në Beograd, përveç bisedimeve për gazin, ka dashur të “inkurajojë Serbinë që të mos ndjekë asnjë nga sanksionet e kërkuara nga Bashkimi Evropian”.

    Serbia ka vite që ecën mbi vezë mes Brukselit dhe Moskës”, shkruan gazeta.

    “Nga njëra anë, presidenti Aleksandar Vuçiq përsërit se Serbia ka vullnetin për t’u anëtarësuar në BE, dhe nga ana tjetër, Rusia e Putinit gëzon simpati të madhe në mesin e partive nacionaliste në Serbi dhe në Kishën Ortodokse, dhe kjo vlen edhe për luftën në Ukrainë.”

    Andreas Enst, korrespodent që nga viti 2002 nga, shkroi në gazetën prestigjioze zvicerane Neue Zürcher Zeitung se Serbia e ka të vështirë të pozicionohet në anën e Rusisë

    “Është e lehtë të supozohet se Kremlini po përpiqet të dobësojë fuqinë mbrojtëse të Evropës me hartën serbe”.

    “Një konflikt i mundshëm në Ballkan në këtë pikë do ta nxirrte BE-në jashtë ekuilibrit të brishtë dhe do të mbingarkonte shpejt NATO-n. Pyetja e vetme është: a janë serbët të gatshëm të marrin pjesë në këtë? Përgjigja është: e vështirë, nëse BE nuk bën gabime të mëdha”.

    Një koment i gjatë përshkruan se si Vuçiq ka dhjetë vjet që sundon në Serbi “si të dojë”, dhe se ai e përdori atë për të evokuar “politikën e mosangazhimit” të Titos. Serbia ka tërhequr shumë investime perëndimore dhe është bërë një “linjë e zgjeruar prodhimi” e kompanive perëndimore, e cila ka mundësuar “rritje modeste, por të qëndrueshme”. Vendi ekonomikisht është tërësisht i kthyer nga perëndimi, por plotësisht i varur nga gazi rus”.

    Duke kujtuar se Perëndimi tashmë ka reaguar ashpër ndaj Milorad Dodik në BiH, Ernst shkruan: “Europianët tani duhet të jenë të qartë edhe ndaj Beogradit. Gjëja e fundit që i duhet BE-së është një kalë trojan në Ballkan, i cili do të hapte një front tjetër në kurriz të Putinit. Kushdo që përfiton nga fondet e BE-së si kandidat për anëtarësim nuk duhet të ulet më në dy karrige, por duhet t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë”.

    “Nuk do të ishte befasi nëse Vuçiq (dhe Dodik në brendësi të tij) do të distancoheshin nga Moska nën presion të vazhdueshëm. Këta politikanë, më shumë se çdo gjë tjetër, duan të qëndrojnë në pushtet. Dhe nëse ata vërtet duhet të vendosin, ata do t’i japin përparësi BE-së, jo Rusisë. Një vështrim në hartën dhe fluksin e parave tregon pse”, shkruan gazeta e Cyrihut.

    Thuhet se Vuçiq dhe Dodik në një farë mënyre përfitojnë edhe nga kalkulimi gjeopolitik i BE-së.

    “Për Brukselin dhe kryeqytetet e Evropës Perëndimore, axhenda e reformave të vendeve të Ballkanit Perëndimor është tashmë në plan të dytë. Për momentin, po mbështetet më shumë për të mbyllur vrimat e politikës së jashtme dhe të sigurisë në rajon. Kjo është e mirë për shumë politikanë autoritarë në Ballkan – jo vetëm për Vuçiqin dhe Dodikun”.

    “Në përgjithësi, ka një shans të mirë që situata në Ballkan të mbetet e qëndrueshme,” vazhdoi Ernst.

    “Megjithatë, kjo lidhet me dy kushte. Njëra është se Rusia nuk do ta fitojë këtë luftë dhe tjetra është të paktën një politikë disi e qëndrueshme e BE-së në Ballkanin Perëndimor”.

    Ai shton se pa këtë, revanshizmi mund të zgjohet shpejt në Ballkan, idetë për Serbinë e Madhe apo Shqipërinë e Madhe, që do të kërcënonin ekzistencën e BeH dhe Maqedonisë së Veriut.

    “Kjo është arsyeja pse mbetet e rëndësishme që BE-ja të rinovojë ofertën e integrimit për Ballkanin Perëndimor dhe ta rregullojë atë në mënyrë të tillë që këto vende të mund të jenë pjesë e përhershme e Bashkimit brenda pak vitesh”, përfundon Noje Zircher Zeitung. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!