Fatmir Humolli thotë se nuk e përjashton mundësinë e dorëheqjes nga pozita e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Humolli ka thënë se dorëheqja e tij mund të vij nëse partia ku përket nuk punon në të mirën e qytetarëve.
Madje, ai ka folur edhe për ministrin e Financave, Hekuran Muratin, për të cilin thotë se ka hyrë në konflikt me të gjitha Sindikatat dhe se nëse nuk ndryshon qasje “duhet të shkojë në shtëpi”.
“Unë nuk kam hy në Kuvend për Vetëvendosjen, por për misionin e saj, me kthy besimin në vend tonin. Nëse punohet kundër perspektivës, vazhdon me i ataku gjitha kategoritë siç është duke i atakuar sidomos ministri aktual që me të gjitha Sindikatat hyn në konflikt edhe në Kuvend pa nevojë, atëherë ose duhet ky ministër me shku në shtëpi ose unë nuk mundem me qëndru gjatë në Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes. Nëse këta devijojnë prej rrugës, nuk mundem me shku në rrugë të gabuar”, tha ai në në Tëvë 1.
Humolli ka kritikuar bashkë-partiakun e tij, ministrin e Financave, Hekuran Muratin për deklaratën se duhet pastruar listat e veteranëve për tu rritur vlera e pensionit.
Ai deklaroi se i është krijuar përshtypje se Murati “nuk ka ndjenja për kombin as për vlerat”.
Sipas Humollit, ministri nuk ka të drejtë t’i detyrojë veteranët të pastrojnë listat e tyre.
“Ministri i Financave duhet me mendu shumë më kthjellët. Nuk ka të drejtë me i detyru veteranët me i pastru listat sepse i ka bërë Qeveria”, tha Murati për Tëvë 1
“Ministri po don me i ngarku veteranët me këto pengesa, nuk po e kupton që e ka dëmtuar shtetin për 360 milionë euro që i ka lënë paret e Trustit pensional jashtë. Sikur 2 miliardë euro të ishin investuar në Kosovë ishin krijuar 70 mijë vende të punës, ia kishin shtu Trustit të ardhurat dhe kishin pengu që paret tona të qarkullojnë jashtë”, shtoi ai.
“Por ky ministër po kam përshtypje sikur është teknicist i ftoftë që nuk ka ndjenja as për kombin as për vlerat”, u shpreh Humolli.