×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti u thotë britanikëve: Në Kosovë jemi duke lulëzuar ekonomikisht

    Reporteri
    08 Qershor 2022 | 8:56

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po qëndron për vizitë në Britani të Madhe, ku dje ishte i ftuar sot si mysafir në serinë e diskutimeve të organizuara në Universitetin Cambridge.

    Kurti aty tha se Kosova është histori e dyfishtë suksesi: së pari, histori suksesi e ndërhyrjes së NATO-s, qëndresës dhe luftës çlirimtare të popullit, dhe së dyti, Kurti tha se Kosova është duke lulëzuar ekonomikisht.

    “Unë besoj që Kosova është histori e dyfishtë suksesi: së pari, histori suksesi e ndërhyrjes së NATO-s, qëndresës dhe luftës çlirimtare të popullit, dhe së dyti, jemi duke lulëzuar ekonomikisht, tha kryeministri, duke theksuar indikatorët pozitivë ekonomikë.

    Ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.

    Duke theksuar rëndësinë e imazhit të vendit, kryeministri tha se imazhi i Kosovës është duke u përmirësuar tashmë dhe se arsye kryesore për këtë është ndryshimi i madh demokratik që ka ndodhur në shkurt të vitit të kaluar. Ai tha se demokracia është brendi më i mirë.

    Kosova është vendi më pro përendimor dhe më demoktratik nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, tha kryeministri Kurti.

    Duke diskutuar për procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, kryeministri theksoi se marrëveshja do të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, siç është formalizuar edhe në letrat publike të Presidentit Biden dhe Sekretarit Blinken, dërguar Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti.

    Kryeministri theksoi angazhimin e Qeverisë për drejtësi dhe punësim, dhe përkushtimin për arsim dhe aftësim profesional, digjitalizim, mbyllje të hendekut gjinor, si dhe përfshirje dhe pjesëmarrje të plotë të të gjithë qytetarëve nga të gjitha komunitetet.

    Ai foli për aplikimin e bërë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si dhe për synimet e Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s.

    Lidhur me invazionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse në Ukrainë, kryeministri Kurti foli për reagimin e menjëhershëm të Republikës së Kosovës për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe ofrimin e ndihmës për Ukrainën, duke shprehur gatishmërinë për të pranuar 5000 refugjatë ukrainas dhe duke iu ofruar strehim dhe kushte pune 20 gazetarëve nga Ukraina.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!