×
  • Lajme
  • Lajme

    Anikorrupsioni flet për “Rolexin” e Sveçlës që u tha se e ka marrë dhuratë nga kryeministri i Katarit

    Reporteri
    08 Qershor 2022 | 12:43

    Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se është kontaktuar nga kabineti i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në lidhje me orën “Rolex”, dhuratë kjo nga shteti i Katarit.

    Në diskutimin “Fol Hapur”, organizuar nga Lëvizja Fol, Buleshkaj ka thënë se ora është raportuar si dhuratë protokollare dhe se ministri ka deklaruar se nuk dëshiron ta mbajë për vete.

    “Ajo sa e di unë e ka raportuar si dhuratë protokollare. Pjesa e dhuratave nuk ka ndryshuar fare, është e njëjta pjesë. I njëjti trajtim i dhuratave. Kabineti i ministrit na ka kontaktuar si zyrë menjëherë pas arritjes nga vizita, na ka pyetur për procedurat se si duhet të ndiqen në lidhje me këtë dhuratë dhe na kanë thënë që dhurata pa marrë parasysh edhe nëse ministri mund ta bëjë vetë nuk dëshiron ta mbaj vetë, por do ta lë në institucion. Qoftë për vlerën, qoftë për punën që i është dhënë në një vizitë zyrtare e nuk i është dhënë në vizitë private”.

    Duke folur për punën që ka marrë në fillim të këtij viti, Buleshkaj e konsideron sfiduese, pasi thotë se merret me verifikim të zyrtarëve të lartë.

    “Sfidat të cilat i kam pritur nga vëzhgimet e jashtme, shumica nga ato janë vërtetuar edhe brenda, por, ta them të vërtetën më ka dalë më mirë se që e kam pritur. Jam i lumtur për këtë. Sfida kemi shumë sepse ne merremi me zyrtarë të lartë, me verifikime të pasurie të zyrtarëve të lartë, me shqyrtim të rasteve të konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë. Duke filluar nga drejtorët e deri tek presidenti i vendit. Ka sfida të një pas njëshme, të cilat deri më tani nuk është se kemi pasur vështirësi që t’i tejkalojmë. Ato që janë pak më të vështira është mungesa e stafit të agjencisë, adekuat për ta zbatuar mandatin, e kemi një numër të caktuar po ai numër besoj që është i vogël në mënyrë që ne më shpejtë dhe më mirë ti shërbejmë qytetarëve dhe zyrtarëve të cilët janë të obliguar të na raportojnë”, tha Buleshkaj./eo

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!