×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokati Tmava: Familja e 30-vjeçarit që vdiq nga rrëzimi i drurit, mund të padisë Komunën e Prishtinës

    Reporteri
    08 Qershor 2022 | 14:47

    Familja e 30-vjeçarit, i cili vdiq të hënën si pasojë e rrëzimit të një druri në rrugën “Vaso Pasha” në Prishtinë, mund të ushtrojë padi për kompensim dëmi kundër kësaj komune.

    Kështu tha për Telegrafin avokati Berat Tamava, i cili tha se bazuar në rrethanat që ka ndodhur rasti, familja ka të drejtë ligjore për kompensim.

    Njëjtë sipas tij mund të veprojë edhe familja e 35-vjeçares e cila në këtë incident mbet e lënduar rëndë dhe rrezikon të mbetet e palëvizshme.

    “Po, ka të drejtë ligjore që të ushtrohet padi për kompensim dëmi kundër Komunës së Prishtinës në të dyja rastet”, deklaroi Tamava, duke shtuar se padia ushtrohet në gjykatën kompetente – në rastin konkret në Themeloren në Prishtinë.

    Ndërsa, sa i përket shumës së dëmshpërblimit, ai tha se varet prej rrjedhës së procedurës si dhe mendimit të ekspertëve kompetentë që ftohen me propozimin e palëve.

    35-vjeçarja e cila i mbijetoi kësaj tragjedie, është dërguar për shërim në Shkup.

    Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar, Sami Bajçinca – mjek në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku u trajtua e lënduara deri të hënën mbrëma kur edhe u nis për trajtim jashtë vendit.

    Sipas tij, lëndimet e 35-vjeçares janë serioze dhe e njëjta rrezikon të mbetet e palëvizshme.

    “Gjendja e saj pas trajtimit në QKUK ishte stabile. Por, lëndimet janë të rënda. Ajo e ka të humbur përkohësisht lëvizjen dhe rrezikohet të mbetet e palëvizshme për tërë jetën”, ka thënë Bajçinca.

    Telegrafi ka dërguar pyetje në adresë të Ndërmarrjes Publike Komunale “Hortikultura”, për të pyetur nëse kanë të dhëna për numrin e drunjve të dëmtuar në Prishtinë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës njoftoi të mërkurën se ka nisur prerjen dhe krasitjen e drunjve të dëmtuar, të cilët paraqesin rrezik për qytetarët.

    Sipas njoftimit, deri tani janë prerë dhe krasitur drunjtë në rrugën “Abedin Rexha” dhe në “Parkun e Qytetit”.

    “Komuna e Prishtinës nëpërmjet Hortikulturës dhe Organit Mbikëqyrës është në proces të vazhdueshëm të identifikimit dhe eliminimit të drunjve të dëmtuar të cilët paraqesin rrezik potencial si rezultat i kushteve të rënda atmosferike, si dhe krasitjes së disa prej tyre për të evituar rrezikun nga kabllot e rrymës”.

    “Deri tash është bërë realizimi i prerjeve dhe krasitjeve në rr. ‘Abedin Rexha’ dhe në ‘Parkun e Qytetit’”, thuhet në njoftimin për media të komunës.

    Tutje, thuhet se planifikohet që me të njëjtat procedura të vazhdohet në “Tauk Bashqe”, në rrugën “Simon Shiroka” – Zona Qendër, në rrugën “Jonuz Zejnullahu” dhe në vende të tjera që mund të paraqesin rrezik për qytetarët.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!