Agim Veliut nuk po i kalon inati me kryetarin e LDK-së, Lumri Abdixhiku. Ish-figura qendrore e kësaj partie sa herë po i jepet rasti shfaqet në publik që ta thumbojë shefin e tij të partisë.
Së fundi ka marrë shkas nga një deklaratë e Abdixhikut për Vjosa Osmanin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Abdixhiku, në një intervistë për ATV, ka thënë se Vjosa Osmani nuk është presidente e të gjithëve. E sipas deputetit Veliu, është shumë normale kjo.
“Është dashur të kaloj një vit që Lumiri ta pranoj se Vjosa Osmani nuk është presidente e të gjithëve. E tha se me presidenten ka vetëm një komunikim institucional. Shumë normale kjo. Derisa e bëri presidente kishte komunikime të përditshme”, shkruan Agim Veliu në facebook.
Sipas tij, Abdixhiku dhe disa deputetë tjerë të LDK-së kishin pasur komunikim me Osmanin deri kur thotë se ata ia mundësuan asaj të bëhej presidente nën petkun e VV-së.
“Një presidente që ka ardhur në pushtet nën petkun e VV-së dhe e përkrahur nga disa deputetë të LDK-së të ndikuar nga Lumiri, pra pa konsensus të gjerë, nuk mund të jetë e të gjithëve! E VV-së po, pa dyshim, por pse jo e Lumirit dhe e kompanisë së tij, kjo është pak e çuditshme!”, thotë deputeti i LDK-së.
“Nuk është për t’u habitur pse Vjosa sillet ndaj Lumirit sipas asaj thënies “E kapërceva lumin…”. Fundja, askush nuk ka pritur se do të ndryshojë Vjosa, që ka shkëlqyer si politikane përçarëse dhe konfliktuoze, deri në përpjekjen për shkatërrimin e partisë që e rriti”, përfundon ai.