Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të udhëtojë për në Greqi për të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
Kështu ka bërë të ditur Zyra për Informim e Presidentes përmes një njoftimi për media, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Siç thuhet në njoftim, në këtë Samit, Presidentja Osmani do t’u bashkohet krerëve të 13 shteteve për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon.
“Gjatë Samitit të SEECP-së, Presidentja Osmani do të ketë takim bilateral me nikoqirin e Samitit, kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, si dhe me pjesëmarrës tjerë. Presidentja Osmani do të marrë pjesë në darkën zyrtare të Samitit me Kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz dhe me Presidentin e Këshillit të BE-së Charles Michel.”
Në Samit, Presidentja Osmani do të flasë edhe për rolin që Kosova po luan në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon, rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euro-atlantike për Kosovën dhe vendet e tjera demokratike në rajon.