Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, e ka quajtur historike vizitën e Kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Kosovë, vizitë kjo e cila përkon me datën e përvjetorit të 23-të të çlirimit të Kosovës.
Ai ka përmendur faktin se kjo është vizita e parë e një kancelari gjerman që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës teksa ka shtuar se kjo dhe vizitat e tjera që Kosova ka pasur nuk janë thjesht simbolikë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Një vizitë historike e Kancelarit ?? Olaf Scholz në këtë ditë historike për ??, e cila përkon me 23 vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Për më tepër, kjo është vizita e parë e një Kancelari gjerman në Prishtinë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Vetëm brenda pak muajve, Republika jonë është destinacioni i parë i vizitave shtetërore gjermane në Ballkanin Perëndimor, pas vizitës së Ministres Annalena Baerbock dhe Christine Lambrecht. Kjo nuk është vetëm simbolikë ???????.”, ka shkruar Ajeti në Facebook.
Ndryshe, Scholz më herët ka përfunduar vizitën në Kosovë ku u takua me kryeministrin Albin Kurti.
Ata mbajtën edhe një konferencë për media me ç’rast Scholz foli për “Ballkanin e Hapur” dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.
Njëherit, Scholz potencoi se dialogu Kosovë-Serbi duhet medoemos të përfundojë me njohje të Kosovës nga Serbia pasi, sipas tij, dy shtete që nuk e njohin njëra tjetrën nuk mund të anëtarësohen në BE.
“Gëzohem që po vizitoj Kosovën si vendin e parë në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi biseduar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe liberalizimin e vizave si dhe për pozicionimin e Kosovës karshi luftës në Ukrainë. Me rëndësi për Kosovën është që dialogu i ndërmjetësuar nga BE të shkojë përpara. Lajçak e ka mbështetjen tonë të plotë. Dialogu është vendi që i hapë Kosovës rrugën drejt perspektivës evropiane. Marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës sepse është e paimagjinueshme që dy vende që se njohin njëri tjetrin të jenë në BE.
Procesi i Berlinit është një shenjë që Gjermania me të gjitha mundësitë që ka do të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkangjitur BE-së në kohën e duhur. Ne e kemi bërë këtë prioritet. Por ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë, është e rëndësishme të punojnë edhe pjesëmarrësit në këtë proces”, u shpreh Scholz. /Reporteri.net/.