×
  • Lajme
  • Lajme

    Përparim Rama reagon pas dështimit të festivalit “Sunny Hill”, ia lë fajin Qeverisë

    Reporteri
    14 Qershor 2022 | 19:05

    Kreu i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi festivali “Sunny Hill” dështoi të organizohet në Prishtinë. Rama ia ka lënë fajin Qeverisë Kurti për këtë, duke thënë se ky vendim do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Sipas Ramës, dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.

    “Me keqardhje të madhe mora lajmin se Festivali prestigjioz, Sunny Hill, sivjet, nuk do të mbahet në Prishtinë. Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën”, ka thënë Rama.

    Ai ka thënë se pret që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës.

    :Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit. Ne presim që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit”, ka shkruar Rama.

    Festivali “Sunny Hill” nuk do të mbahet në Kosovë, ashtu siç ishte parashikuar organizimi i tij në Bërnicë të Poshtme.

    Gazeta Online Reporteri merr vesh se Festivali “Sunny Hill” do të mbahet këtë vit në Tiranë, dhe ky vendim siç bëjnë të ditur këto burime, erdhi si pasojë e zvarritjes së procedurave nga ana e Qeverisë për ta bërë të mundur mbajtjen e festivalit.

    Festivali ku tashmë veçse janë konfirmuar artistët e parë pjesëmarrës, përfshirë edhe DJ të njohur në botë, ishte planifikuar të mbahej në data 4-7 gusht 2022.

    Në muajin maj të këtij viti, Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi që kompanisë “Sunny Hill” t’i jepet prona 17-hektarëshe në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim për 99 vjet.

    Por procedurat e mëtejme janë zvarritur në Qeveri, gjë që ka bërë që organizatorët e kësaj ngjarjeje të tërhiqen përfundimisht nga organizimi në Prishtinë i festivalit, për ta zhvendosur atë në Tiranë këtë vit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!