Kryeparlamentari Glauk Konjufca po qëndron në vizitë në Hagë, për t’u takuar me ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Konjufca ka deklaruar se deri tash ka takuar Jakup Krasniqin dhe Pjetër Shalën.
Ai tha se është shumë i brengosur për mbarëvajtjen e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Tutje, Konjufca tha se, anipse ka kohë prej kur dihet aktakuza ndaj tyre, ky proces po merr kohë të gjatë për t’u kryer, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
“Me këtë që po e shohim që po zhvillohet në Gjykatën Speciale jemi shumë të brengosur dhe shumë të pakënaqur sepse janë bërë 24 muaj prej kur ne e dimë se cila është aktakuza. Me e pasë aktakuzën e shkruar dhe mos me fillu procesi gjyqësor, atëherë shtrohet pyetja pse këta njerëz nuk janë mbrojtur deri tash në liri. Kjo mund të përkufizohet si izolim”, tha ai në RTK.
Konjufca e quajti Gjykatën Speciale “gjykatë e zorit”.
“Ne si Kosovë dhe si institucione të këtij vendi e shohim si shqetësim. Kemi pasë mospajtime të mëdha për themelimin e Gjykatës Speciale. Nuk është se është bërë prej qefit, mirëpo ka qenë njëfarë gjykate e zorit me thënë të drejtën. Edhe ata që e kanë ngritur dorën pro Gjykatës kanë menduar se po të mos bëhej prej Kosovës do të bëhej prej Kombeve të Bashkuara dhe prapë Kosova do të pësonte. Pra e dimë se atëherë nuk ka qenë lehtë as për ata që kanë votuar kundër e as për ata që kanë votuar pro kësaj Gjykate”, tha Konjufca.
“Puna e saj e deritashme ka shumë defekte për arsye se ajo që menjëherë merr vëmendjen ka të bëjë me faktin se po bëhen gati dy vjet prej kur ish-krerët janë brenda të izoluar dhe procesi gjyqësor nuk po fillon”, shtoi tutje ai.
Konjufca po ashtu deklaroi se nesër pritet që të takohet me Hashim Thaçin e Kadri Veselin. /Reporteri.net/.