×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për rritje të numrit të fluturimeve mes dy shteteve

    Reporteri
    19 Qershor 2022 | 12:26

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është takuar me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Ministri Aliu ka njoftuar se bashkë me kryediplomatin turk, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për rritje të fluturimeve mes dy shteteve, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    “Sapo nënshkruam marrëveshje të bashkëpunimit me ministrin e punëve të jashtme të Republikës së Turqisë, z. Mevlüt Çavusoglu.

    Përmes kësaj marrëveshje tanimë kemi rritur numrin e fluturimeve nga njëzet e tetë (28) fluturime në javë, në dyzet e dy (42) sosh ✈️, e që do të rezultojë edhe me uljen e çmimeve të udhëtimeve të pasagjerëve tanë”, ka shkruar Aliu në Facebook.

    Postimi i plotë:

    Ndryshe, kryediplomati turk gjatë vizitës së tij në Kosovë, deri tash është takuar me Ministren e Jashtme Donika Gervalla dhe Presidenten Vjosa Osmani.

    Kryediplomati turk, Mevlut Cavusoglu në konferencën e përbashkët me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla tha se do t’i inkurajojë biznesmenët turq që të investojnë në Kosovë.

    Ministri turk paralajmëroi investime në Kosovë në fushën e energjetikës, nga të cilat tha se vendi në të ardhmen e afërt do të jetë në gjendje të eksportojë rrymë.

    “Në fushën e energjetikës, kompanitë tona janë të gatshme të investojnë dhe nuk duan garanci të blerjes. Financimin do ta bëjmë vetë dhe për një vit do ta kryejmë. Besoj që në investime të tilla kanë interesim firma të fuqishme në mënyrë që të prodhojnë elektricitet dhe Kosova të eksportojë rrymë në një të ardhme të afërt”, tha ai.

    Më vonë, Çavusoglu, pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!