×
  • Lajme
  • Lajme

    BE dhe SHBA në vitin 2015 e kishin bërë të qartë se Damarkacioni ishte kusht për vizat

    Reporteri
    23 Qershor 2022 | 19:42

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka akuzuar sot Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti, se janë pikërisht ata që kanë pamundësuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke penguar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Faktet dhe deklaratat zyrtare të së kaluarës, nga viti 2015, të ripërsëritura në vitin 2016 dhe 2017 tregojnë se Mustafa ka të drejtë në pohimet e tij. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin bërë të qartë në vitin 2015, se demarkacioni ishte kusht për heqjen e vizave, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Pas fjalimit të sotëm të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ku kërkoi liberalizimin e vizave për vendin, ka reaguar dikur Shefi i saj dhe ish-kryeministri, Isa Mustafa.

    Mustafa akuzoi sot Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti, se janë pikërisht ata që kanë penguar liberalizimin e vizave për Kosovën, duke penguar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit.

    Osmani në atë kohë ishte deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe i kishte dalë kundër Mustafës për punën e demarkacionit.

    Përveç Osmanit, ishin bërë bashkë edhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj dhe ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të cilët kundërshtonin ashpër këtë marrëveshje.

    “Me pas veç pak fytyrë, Vjosa Osmani e disa të tjerë në Qeveri e në Kuvend do ta mbyllnin gojën për liberalizimin. Presidentja Osmani, nuk u takua sot me bllokuesin e liberalizimit (Makron), ashtu siç u raportua. Por, dy bllokuesit e liberalizimit, Osmani dhe Makron u takuan në Bruksel. Gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Brukse. Çfarë ironie. Kjo mendon se populli e ka mbajtje mendjen e peshkut!

    Është Vjosa Osmani, Albin Kurti, Shpëtim Bulliqi e piromanet e tyre që në vitin 2015 e 2016, kur ne ishim në një pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave  shpiknin të pavërteta për ta penguar ratifikimin si kusht të liberalizimit”, shkroi Mustafa.

    Se demarkacioni ishte kusht për liberalizimin e vizave e kishin bërë të qartë në vitin 2015 edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në një deklaratë të lëshuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, thuhej se përmbyllja e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ishte kusht i BE-së për liberalizimin e vizave dhe paraqet një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian

    “Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shqyrtuar shënimin e hollësishëm të vijës kufitare të kufirit Kosovë – Mal i Zi të përgatitur nga Komisioni Shtetëror i Kosovës për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.  Ne e kuptojmë se baza për punën e Komisionit për shënimin e kufirit ishte Kushtetuta e Jugosllavisë e vitit 1974, e cila e përcaktoi kufirin e Kosovës nga kufijtë administrativë të komunave, të cilat janë ndarë në zona kadastrale.  Kjo bazë për shënimin e kufirit është përdorur edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në vitin 2007 dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të vitit 2008.

    Pas rishikimit të hartave nga vitet 1940 e deri te të tashmet, duke përfshirë edhe atë të përdorura nga Komisioni për shënimin e kufirit, Departamenti i Shtetit ka ardhur në përfundim se kufiri i saposhënuar është në përputhje me kufirin e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974.  Kufijtë të cilët i kemi pasqyruar prej vitit 2008 përputhen në hollësi me kufirin e propozuar të vitit 2015.  Ne vëmë në pah se përmbyllja e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit është kusht i BE-së për liberalizimin e vizave dhe paraqet një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, thuhej në deklaratën e lëshuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 21 dhjetor të vitit 2015.

    Këtë e kishte bërë të qartë edhe ish-Raportuesja në Parlamentin Evropian për çështjen e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, e cila kishte deklaruar se Kosova duhet të ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi në mënyrë që të hapet rruga e liberalizimit të vizave.

    “I ftoj deputetët dhe i lus ata që të mos e stopojnë procesin e liberalizimit të vizave për interesa partiake. Duhet bërë çfarë është e mundur për ta ratifikuar marrëveshjen në ditët e ardhshme. Tani çështja është në duart tuaja”, theksonte Fajon.

    Fajon thoshte se pas bisedave të shumta të zhvilluara në Komision Evropian, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi ishte vënë përfundimisht si kusht absolut për liberalizmin e vizave për Kosovën.

    “Në raportin e fundit të Komisionit Evropian është thënë shumë qartë se Parlamenti i Kosovës duhet ta ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi, përpara se të bëhet liberalizimi i vizave. Në ditët e fundit kam pasur një numër diskutimesh me Komisionin Evropian dhe institucionet e tjera dhe do të inkurajoja që ratifikimi të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur, sepse në të kundërtën ne nuk do të mund të procedojmë tutje, madje as edhe me votimin në Parlamentin Evropian”.

    “Tash për tash i kemi katër shtete që po presin për liberalizim të vizave dhe unë do të doja që Kosova të jetë në mesin e të parave. Raporti është në Parlament, por siç e thash, ratifikimi i marrëveshjes së kufirit, pas gjithë bisedave që kam pasur në ditët e kaluara, është një kusht absolut dhe pres që Parlamenti i Kosovës ta ratifikojë sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaronte Fajon më 10 Qershor të vitit 2016.

    Edhe Shefja e atëhershme e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova kishte insistuar që Kosova t’i përmbush edhe dy kriteret e mbetura, ku bëjnë pjesë demarkacioni dhe lufta kundër korrupsionit për liberalizim.

    Madje, thoshte se janë politikanët ata që e mbajnë çelësin për liberalizim”.

    “Ne insistojmë që Kosova t’i përmbush edhe dy kriteret. Politikanët e mbajnë çelësin për liberalizim, ata duhet të miratojnë demarkacionit dhe të marrin masa në luftën kundër korrupsionit”, kishte thënë Apostolova, më 20 shkurt të vitit 2017.

    Pas gazit lotsjellës në Kuvend, protesta e opozitës kundër demarkacionit, ishte zhvendosur në rrugë. Madje, ishte sulmuar edhe Kuvendi i Kosovës.

    Pas kësaj, kishte rënë Qeveria Mustafa. Në pushtet më pas kishte ardhur Ramush Haradinaj, përmes koalicionit PAN. Ratifikimi i marrëveshjes ishte bërë gjatë qeverisjes së tij, ani pse kishte qenë bashkëkundërshtar me Kurtin për demarkacionin gjate kohës së Qeverisë Mustafa.

    Ndryshe, Kuvendi i Kosovës kishte ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi më 21 mars të vitit 2018, me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

    Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e demarkacionit ishte zhvilluar nën tensione e masa të shtuara të sigurisë.

    Lëvizja Vetëvendosje kishte tentuar që ta pengojë ratifikimin e demarkacionit përmes hedhjes së gazit lotsjellës.

    Hedhja e gazit lotsjellës dhe ndërprerja e seancës në katër rastet kur ishte provuar të votohet për ratifikimin e demarkacionit, kishte sjellë si rezultat largimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga salla e Kuvendit nga Policia e Kosovës.

    Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!