Samiti mes liderëve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku nga Kosova mori pjesë Presidentja Vjosa Osmani, ka përfunduar sot pa asnjë rezultat konkret. Pritjet e kosovarëve për këtë samit ishin të mëdha, meqë shpresohej për liberalizim të vizave. Por, përveç mbështetjes në këtë drejtim, s’pati ndonjë hap konkretë. Cilat ishin pritjet e vetë Presidentes Osmani para se të fillonte samiti, e çka deklaroi pas përfundimit të tij? Çka u tha për liberalizimin atje? Gazeta Online Reporteri.net ju sjell një përmbledhje të të gjitha zhvillimeve
Sot është mbajtur dita e parë e Samitit dyditor mes liderëve të 27 vendeve të BE’së dhe atyre të Ballkanit Perëindimor.
Para se të fillonte, shpresat për liberalizim të vizave për Kosovën ishin të mëdha.
Ishte Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo e cila tha se ka shpresa për vendim për liberalizim të vizave për Kosovën, duke shtuar se s’do t’i rrisë pritshmëritë.
Ne kemi shpresa, por nuk dua të rrisë pritshmëritë në këtë kohë, sepse ky proces nuk varet nga ne. Kosova ka përmbushur kushtet dhe tani është koha që vendet anëtare të marrin vendim, sepse është padrejtësi e madhe për Kosovën. Ne kemi përmbushur kriteret katër vite më parë. Është koha që vendet e BE-së të marrin vendim. Rruga euroatlantike është alternativa jonë e vetme, besoj se për këtë arsye të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e meritojnë të jenë këtu sot dhe të shprehin pikëpamjet e tyre”, u shpreh Osmani para gazetarëve.
Para nisjes së samitit, Osmani u takua edhe me krerët e dy shteteve që deri më tani ishin skeptike për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Osmani fillimisht e takoi Presidentin e Francës, Emanuel Macron, shkruan Reporteri.net.
Pas Macronit në prag të nisjes së Samitit, Osmani bisedoi edhe kryeministrin holandez Mark Rutte, vendi i të cilit po ashtu është akoma skeptik sa i përket heqjes së vizave për Kosovën.
Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve. Mirëpo, javëve të fundit shteti i Francës ka dhënë sinjale se mund të mos e kundërshtojë më vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Sinjale pozitive ka edhe nga Holanda. Pas viteve të tëra të bllokadës ndaj zgjerimit të mëtutjeshëm të BE-së si dhe liberalizimit të vizave për Kosovën, duket se qëndrimi holandez po ndryshon.
Deputetja holandeze dhe njërit anëtarja e Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, Kati Piri, ka thënë se disponimi i Holandës rreth integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor ka ndryshuar.
Piri tha se në parlamentin e Holandës gjërat tani shihen ndryshe.
Pro liberalizimit të vizave për Kosovën u shpreh edhe Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e cila e cilësoi historike ditën e sotme.
“Sot është një ditë historike për dy arsye: sepse këtë mëngjes do të kemi një samit me Ballkanin Perëndimor dhe dua t’i them disa fjalë në emër të Parlamentit Europian. Zgjerimi gjithmonë është parë si një proces transformativ për vendet që duan të shohin Europën si shtëpinë e tyre dhe sot është dita kur ne përnjëmend duhet të nisim negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne duhet përnjëmend të flasim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Këto janë pikat që do të fliten brenda samitit, sepse kjo është dita kur ne duhet të shikojmë drejt Ballkanit Perëndimor si vende që janë fqinj tonë dhe vende që duhet ta gjejnë veten në Bashkimin Europian, i cili është shtëpia e tyre”, deklaroi Metsola.
Filloi samiti, e kërkesën për liberalizim të vizave, Osmani e paraqiti edhe para liderëve evropian.
Në fjalimin e saj, Osmani tha se qytetarët e Kosovës ndihen të diskriminuar, nga regjimi i vizave, ndonëse të gjitha kushtet janë përmbushur.
“Pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm, populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi dhe përparim. Ata dëshirojnë një regjim pa viza, për të parë, ndjerë dhe përjetuar Evropën. Dua të flas sërish këtu për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave, me shpresën se këtë herë vërtetë, do të na dëgjoni. Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha Osmani.
Tutje, Presidentja deklaroi se është e vetmi person në atë samit, që i nevojitej vizë.
Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit. Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj”, tha Osmani.
Pavarësisht kësaj kërkese, nuk pati ndonjë veprim konkretë nga liderët evropianë.
Pas përfundimit të samitit, Osmani tha se vetëm ka pasur mbështetje nga shtetet për liberalizimin e vizave.
Osmani ka thënë se ishin deklaratat më pozitive deri më tani për liberalizimin e vizave, përfshirë edhe vendet që deri më tani kanë qenë skeptike në lidhje me këtë proces.
“Kemi dëgjuar shumë deklarata përkrahëse për Kosovën, për perspektivën evropiane të saj, për liberalizimin e vizave, e treta për rreshtimin e plotë të Kosovës me BE-në sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë. Duhet të shkojmë tash nga fjalët në veprime. Na duhen hapa konkretë. Duhet të merret vendimi për liberalizim të vizave. Mendoj se deklaratat duhet të kthehen në veprime konkrete e të votohet në nivel të këshillit të ministrave për liberalizim. Kanë qenë deklarata më pozitive që kemi dëgjuar deri më tash për liberalizim, përfshirë edhe nga shtetet që kanë qenë hezituese”, tha Osmani pas takimit.
Edhe Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, konfirmoi më pas së u fol për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Në plan të parë ishte çështja e fillimit të procesit negociator me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe bashkë me të edhe çështja e sigurimit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Përveç kësaj, ata folën për dhënien e statusit kandidat jo vetëm për Ukrainën dhe Moldavinë, por gjatë bisedimeve u fol shumë për marrjen e statusit kandidat për Bosnje e Hercegovinën”, tha ai.
Zhgënjim pati edhe për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, meqë Bashkimi Evropian nuk hapi negociatat e anëtarësimit për shkak të vetos që Bullgaria i ka vendos Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Edi Rama e nisi konferencën për shtyp duke thënë se ndjen Keqardhje për Bashkimin Europian, “më vjen keq për ta, shpresoj ti ndihmojmë”.
Me tone të ashpra në drejtim të Bashkimit Evropian ai ka thënë se ‘Unioni’ ka probleme.
“Më lejoni të shpreh keqardhje të thellë për Bashkimin Evropian. Më vjen keq për ta dhe shpresojmë t’i ndihmojmë. U përpoqa të them disa gjëra në takim dhe do të ndaj me ju disa prej tyre. Michel na tha se kishim 3 minuta. Unë i thashë se mund të kishin qenë 3 sekonda nëse ata do të kishin mbajtur fjalën por nuk e bënë kështu që 3 minuta nuk ishin mjaftueshëm. Ne jemi këtu si miq në një shtëpi të ndarë. Është diçka shumë shqetësues që edhe sulmi i një pandemie në shkallë globale dhe njuë luftë kaq kërcënuese nuk kanë mundur t’i bëjnë bashkë se çfarë duhet bërë. Sigurisht që ne kemi shumë për të bërë dhe unë mendoj që ne kemi bërë dhe bëmë për të mbështetur idenë e Presidentit Macron”, tha Rama.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski. Ai tha se Bullgaria ka vendosur që të kthehet në të shkuarën.
Mes të tjerash ai tha se po humbet koha për hapjen e negociatave.
“Diskutuam për çështjen e Ballkanit Perëndimor. Agresioni rus, dhe zgjerimi i BE dhe Ballkanit perëndimor duhet të shihet si prespektikë. Ne shpresën pakënaqësinë e qeverisë. Ka 8 vite që Maqedonia e veriut është kandidate, ndërkohë qenë 2020 KE mori vendimin për nisjen pa kushte të negociatave. Jemi ende këtu dhe s’ka ende negociata. Po humbasim kohë. Maqedonia dhe Shqipëria s’mund të jetë i ngecur në këtë situatë. Bullgaria ka vendosure që të kthehet në të shkuarën.”, tha ai.
Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish nesër për të diskutuar për zgjerimin. /Reporteri.net