×
  • Lajme
  • Lajme

    Akuzat për krime lufte, Specialja ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës

    Reporteri
    24 Qershor 2022 | 10:43

    Gjykatësi paraprak, Nicolas Guillou, ka marrë vendim, me anë të së cilit ia ka vazhduar masën e paraburgimit Pjetër Shalës, i cili po akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për krime lufte.

    Kjo është bërë e ditur përmes vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

    Aty thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka ardhur në konkludimin se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që Shala do të arratiset, pengojë progresin e procedurave të Dhomave të Specializuar ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që i kanë ofruar dëshmi SPO-së dhe/ose që do të paraqiten para Dhomave të Specializuara.

    Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!