×
  • Lajme
  • Lajme

    Asnjë fjalë për heqjen e vizave në konferencën e përbashkët të Macron, Michel e Von Der Leyen

    Reporteri
    24 Qershor 2022 | 11:10

    presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron shteti i të cilit e udhëheqë presidencën e Këshillit, nuk e kanë thënë asnjë fjalë për heqjen e vizave për Kosovën në konferencën për media pas takimit të 27 liderëve të BE-së.

    Hapësirën më të madhe në konferencën për gazetarë e pati Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia, për dhënien e statusit të vendeve kandidate të BE-së.

    Kosova u përmend vetëm nga presidenti i Këshillit, Michel, në kontekstin e përkrahjes së dialogut Prishtinë – Beograd.

    “Ne përkrahim konkluzionet nga Përfaqësuesi i Lartë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha ai kur foli për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

    Liberalizimi i vizave nuk u përmend as në konkluzat e Këshillit në takimin e ditës së parë që u zhvillua dje.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në samit, kërkoi që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke theksuar se kjo çështje “ka shkuar shumë larg”.

    “Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha ajo, duke shtuar se është e vetmja lidere në këtë samit që është dashur të pajiset me vizë për të marrë pjesë në të.

    Liderët e 27 vendeve të unionit evropian do ta zhvillojnë sot edhe takimin e dytë në kuadër të Këshillit të BE-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!