Parlamenti bullgar ka votuar pro heqjes së vetos për Maqedoninë e Veriut.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryeministri Rama në llogarinë e tij në Twitter ku shpreh falënderimet e tij ndaj Boyko Borisov.
Rama thotë se partia e Borisov shpëtoi fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së.
“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoj sa duhet për mendimin e tij të mirë që më thirri, por mund ta falënderoj për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament! Mik i vërtetë, lider i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt!”, shkruan Rama.
Një reagim mbi heqjen e vetos ka ardhur edhe nga presidenti Meta.
“Më në fund erdhi lajmi i shumëpritur nga Bullgaria mike, që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të anëtarësimit.Votimi nga Parlamenti bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, hapi rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet tona. Në pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Europian, që vijon ende”, shkruan presidenti Meta.
Me 170 vota pro, 37 kundër dhe 21 abstenim, ligjvënësit bullgarë votuan që të heqin VETO-n sipas kushteve të propozimit të presidencës franceze, me disa propozim-ndryshime të caktuara të propozim teksteve të procesit negociues.
Votimi për përfundimin e vetos së Bullgarisë kundër fqinjit të saj erdhi dy ditë pasi ligjvënësit bullgarë rrëzuan qeverinë e kryeministrit Kiril Petkov në një votë mosbesimi.