Teksa zonat më të mira i ka zaptuar privati, për qytetarët Bashkia Vlorë ka përcaktuar pa pagesë plazhet ku pranë tyre derdhen ujërat e zeza.
“Falenderojmë bashkinë Vlorë që na e ka lënë plazhin 10 metra larg nga derdhja e ujërave të zeza. Se na bën mirë, meqë është doktor dhe ai (Kryetari i Bashkisë) dhe e di,” thotë një pushues.
Plazhi i vjetër i qytetit edhe këtë vit është i ndotur.
Aty, përmes këtyre kanaleve përfundojnë ujërat e zeza.
Megjithatë pushues ka.
Frekuentohet zakonisht nga ata që nuk e kanë mundësinë të paguajnë në plazhet private.
“Këtu ishte si vaj i verdhë i gjithë bregu i detit./ Në det nuk hyn dot duhet ta largosh me duar.”
“Problem që duhet të hiqet një orë e më parë. Dhe e dyta, duhet të vendosen koshat e plehrave.”
“Ambjenti është përtokë. Është gjynah të përfaqësohet tek turistët, në këtë gjendje, Vlora kaq e bukur. Është skandaloze,” thonë ata.
Pushuesit i frikësohen marrjes së infeksioneve ndaj preferojnë të qëndrojnë vetëm në rërë duke marrë reze.
“Shumë e rrezikshme, por jemi pleqëri dhe themi të futim këmbët pak në rërë.”
“Të gjithë ujrat janë të infektuar,” thotë pushuesit.
Zgjidhja e problemit dhe rehabilitimi i zonës është premtuar ndër vite nga drejtuesit e Bashkisë por situata çdo verë mbetet e njejtë.
“Kanë 10 vite që thonë do ti heqim dhe nuk i heqin dot,” thotë një pushuese.
Përveç plazhit të vjetër i ndotur nga ujërat e zeza po ashtu është edhe vija bregdetare pranë ish akademisë së Marinës.