Ish-bashkëpartiakët e Kryeministrit Albin Kurti ia kanë dorëzuar sot kreut të VV-së, para objektit të Qeverisë, dosjet me peticione të mbledhura nga partia e tij, me të cilat Lëvizja Vetëvendosje i kundërshtonte marrëveshjet e vitit 2015.
Këto peticione, që sot u lan para objektit të Qeverisë nga anëtarët e PSD-së, si shenjë proteste, ishin mbledhur nga VV-ja dhe partitë tjera opozitare të asaj kohe, AAK e NISMA, gjatë kundërshtimit të marrëveshjeve me Serbinë, në veçanti të asaj për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe sikurse kundërshtohej në të njëjtën kohë edhe Demarkacioni me Malin e Zi.
Po ashtu, në peticionin e vitit 2015 theksohej se kundërshtohet edhe marrëveshja me Serbinë për energjinë në Veri, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Marrëveshje kjo që javën e kaluar u pranua e njëjtë siç ishte, nga Qeveria Kurti, zbatimi i të cilës u nënshkrua në Bruksel nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Në një nga faqet e peticioneve shihet edhe nënshkrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.