Këshilli Gjyqësor (KGjK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i kanë reaguar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha, pasi ky i fundit gjyqtarët e prokurorët kosovarë i krahasoi me ata të kohës së Sllobodan Millosheviqit.
KGJK e KPK thonë se deklarata e deputetit Basha është e papranueshme e që qëllim ka cenimin e integritetin dhe dëmtimin e imazhit të sistemit gjyqësor e prokrurorial.
“KGJK dhe KPK, shprehin pakënaqësi dhe konsiderojnë se deklarata e deputetit Basha është e papranueshme dhe ka për qëllim cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në përgjithësi. Një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të jetë shembull i respektimit të organeve zbatuese të ligjit dhe të përmbahet nga deklarimet e tilla që janë kundërshtim me rendin dhe parimet kushtetuese e ligjore. Deklaratat dhe reagimet e tilla, nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve me sistemin gjyqësor dhe prokurorial prandaj, KGJK dhe KPK, u bëjnë thirrje deputetëve që të kontribuojnë duke reflektuar dhe duke respektuar pavarësinë e të dy sistemeve”, thuhet në reagimin e përbashkët të KGjK-së e KPK-së, përcjell Reporteri.net.
Tutje reagimi vazhdon me atë se “Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, i sigurojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojnë të angazhohen për një sistem gjyqësor dhe prokurorial të pavarur, transparent dhe të paanshëm. Prandaj, i bëjmë thirrje Deputetit Basha që të eviton këtë lloj të deklaratave, e cila në këtë rast sipas vlerësimit të KGJK-së dhe KPK-së, është fyese, denigruese si dhe përpjekje e pasuksesshme për njollosje dhe etiketim të vlerave për sistemin gjyqësor dhe prokurorial në përgjithësi. Theksojmë se sistemi gjyqësor dhe prokurorial i Republikës së Kosovës, përbëhet nga institucione profesionale, të themeluara me Kushtetutë dhe ligje, të cilat janë të përkushtuara në përmbushjen e misionit, vizionit dhe objektivave të tyre dhe janë të pandikuara nga çfarëdo pretendimi”.
Ditë më parë deputeti i VV-së, Basha, vendosi të merret enkas me prokurorë dhe gjyqtarë dhe mendimet e veta i kishte shpalosur në një postim në Facebook.
“Ky vend NUK ka mu ba kurrë pa pas drejtësi. E për dallim që ka pas zgjedhje dhe qytetarët kanë arritë me ndryshu Qeverinë, Kuvendin dhe Presidenten, organet e drejtësisë ende mbeten të njejtat! Pra LLOM! Ne mundemi me ba vetingun për hajna, por për t’shitun, tuca e berlloka s’di çka ban njeri! Për mu ata prokurorë e gjyqtarë që qëllimisht punojnë për interesa të individëve dhe sjellin vendime në dëm të vendit, ama bash hiç nuk dallojnë prej prokurorëve e gjykatësve të Millosheviqit. Bile më keq, se ata i kem njoftë për armiq, a këta veq fshihen nën gzofin e kingjave, dhe për më tepër, paguhen nga taksat e qytetarëve derisa punojnë kundër interesave të tyre”, ka shkruar para disa ditësh Basha.