Zyra e Kryeministrit po planifikon të shpenzojë rreth 40 mijë euro për shërbime transporti me autobus, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes njoftimit për kontratë të publikuar në faqen zyrtare të e-Prokurimit, ZKM’ja ka treguar saktësisht se çka do të përfshijnë këto shërbime.
Kompania që do ta fitojë këtë tender do të kryej shërbimet e transportit me autobus apo minibus brenda dhe jashtë vendit për rastet e përvjetorëve të ndryshëm të organizuara nga ZKM’ja, të mbledhjeve të përbashkëta të Qeverive apo edhe forma tjera të organizimeve.
“Shërbime të transportit me autobus, minibus brenda dhe jashtë vendit për rastet e përvjetorëve të ndryshëm të organizuara nga ZKM, të mbledhjeve të përbashkëta të Qeverive të vendeve në rajon si dhe forma tjera të organizimit siç janë grupet e ndryshme punuese, trajnime të ndryshme etj.”, thuhet në njoftimin për kontratë.
Kohëzgjatja e kësaj kontrate është për 36 muaj.
Kompanitë e interesuara për të kryer këto shërbime kanë afat që t’i dorëzojnë ofertat e tyre deri më 18 korrik 2022, në orën 14:00, kur edhe do të bëhet hapja e tenderëve.
“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues, në bazë të nenit 108/A të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për kontratë”, thuhet në njoftim./Reporteri.net