×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri Mehaj: Ka ardhur koha për koncept të ri strategjik të NATO-s, Kosova i duhet Aleancës

    Reporteri
    29 Qershor 2022 | 14:49

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka deklaruar se vendimet që pritet të dalin nga Samiti i NATO-s që po mbahet në Madrid, janë shpresë për botën e lirë dhe demokratike.

    Në një postim në Facebook, Mehaj ka shkruar se ka ardhur koha për koncept të ri strategjik të NATO-s.

    “Koha për plan afatgjatë në sfidat e sigurisë në dimensionin global, si dhe përcaktimin dhe realizimin e plotë të detyrat politike dhe ushtarake të NATO-s”, ka shkruar ai.

    “Koha për të emëruar qartë kërcënuesit afatgjatë për të gjithë zonën euro-atlantike, aty ku natyrshëm është edhe Kosova dhe populli i saj”.

    Tutje, ka thënë se Republika e Kosovës, institucionet, populli dhe ushtria e saj besojnë në vlerat euratlantike dhe garantueses së saj, NATO-së.

    “Republika e Kosovës dhe NATO janë natyrshëm të bashkuara. Rrugëtojmë së bashku për paqen, stabilitetin dhe sigurinë globale. NATO i duhet Kosovës! Kosova i duhet NATO-s!”, ka përfunduar Mehaj.

    Të martën ka nisur Samiti treditor i NATO-s ku në rend dite, vendet e Aleancës kanë çështje të rëndësishme për diskutim. Në këtë samit, që mbahet në Madrid të Spanjës, pritet të përcaktohet drejtimi strategjik i NATO-s për dekadën e ardhshme.

    Në mesin e temave që po diskutohen janë ndikimet e pushtimit rus të Ukrainës, realiteti i ri i sigurisë në Evropë dhe pasojat e ndryshimeve klimatike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!