Komuna e Vushtrrisë, në krye me Ferit Idrizin, ka shpenzuar mbi 3 mijë euro për një aparat profesional për zyrën e kryetarit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Fillimisht për këtë aparat ishin planifikuar të shpenzoheshin 3 mijë e 500 euro, por që në fund kontrata është dhënë për 3 mijë e 180 euro.
Në dosjen e tenderit të publikuar në e-prokurim, Komuna si arsye për blerjen e këtij aparati e ka dhënë prishjen e ekzistuesit.
“Aparati ekzistues është prishur, dhe kjo ka qenë arsyeja e inicimit të procedurës jashtë planifikimit të prokurorimit”, thuhet në dosje, shkruan Reporteri.net.
Si qëllim për blerjen e tij, jepet informimi i qytetarëve për aktivitetet e komunës.
“Informimi sa më i mirë i qytetarëve për aktivitetet të cilat i bën komuna”, thuhet tutje në dosje.
Për këtë tender ishin pranuar ofertat e shtatë kompanive, por që në fund fituese është shpallur kompania “AëA SH.P.K”.
Kontrata është dhënë më 29 qershor, derisa nënshkrimi planifikohet të bëhet me 1 korrik.
“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet në fund të njoftimit për dhënie të kontratës./Reporteri.net