×
  • Lajme
  • Lajme

    Për Ballkanin e Hapur, Vjosa Osmani e parafrazon Lavrovin, instrumentin kryesor të propagandës ruse

    Reporteri
    30 Qershor 2022 | 23:58

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova nuk do të futet në nismën e Ballkanit të Hapur dhe thotë se aty nuk do të trajtohet njëjtë si shtetet tjera.

    “Ne refuzuam ofertën për të qenë në samitin e Ohrit. Aty ishin Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina por si vëzhguese. Besoj se nuk duhet të futemi në arsyet pse? Hill dhe Escobar e thanë qartë. Ballkani i Hapur është nismë e mirë vetëm nëse ka trajtim të barabartë mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

    “Në momentin kur ministri i jashtëm i Rusisë ka dalë dhe e ka përkrahur një nismë të tillë, besoj se e ka dëshmuar një herë e përgjithmonë se ku janë interesat. Kjo është dashur të jetë përgjigja për gjithsecilin”, tha Presidentja e Kosovës duke iu referuar një deklarate të Ministrit të Putinit, Sergey Lavrov.

    “Nuk mund të futemi në një nismë ku ka edhe interesa ruse e kineze. E dini, Serbia ka marrëveshje të tregtisë me Kinën”, tha Osmani në KTV.

    “Kushdo në gjithë kontinentin evropian, që sot e kupton se si mënyra jonë e jetesës, demokracia jonë, liritë të cilat mezi i kemi arritur, jo vetëm ne si popull shqiptar, por paqja që ekziston sot në kontinentin evropian po rrezikohen shkaku i njerëzve si Putini, shkaku i njerëzve si Vuçiqi dhe pastaj e arsyetojnë një mini-Putin, për besë për mua është komplet e pambrojtjshme një situatë e tillë. Kosova dëmtohet shumë ndërkombëtarisht nëse qasja pro-Putin dhe qasja kriminale e Serbisë arsyetohet. Ne do të dëmtohemi në mënyrë të pariparueshme ndërkombëtarisht nëse Serbia dhe veprimet e saj arsyetohen. Ne e respektojmë plotësisht vendimin e Shqipërisë për të hyrë apo të cilitdo shtet, le ta respektojnë edhe ata vendimin tonë për të mbetur jashtë. Ta respektojmë vendimin e njëra-tjetrës dhe të ecim përpara. Çështja shumë më e madhe se Ballkani i Hapur është cili është interesi i shqiptarëve në Kosovë dhe kudo që t’i shpëtohet fytyra Vuçiqit”, është shprehur Osmani.

    Sipas saj, Serbia dëshiron ta shfrytëzojë “Ballkanin e Hapur” për ta trajtuar Kosovën si shtet të paqenë ose të përkohshëm.

    Kujtojmë se Sergey Lavrov, ministër i Jashtëm rus, njihet si instrument kryesor i propagandës së Putinit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!