Mediat në Greqi kanë publikuar pamjet e sherrit, ku për pasojë humbi jetën një 42-vjeçar. Të akuzuar për krimin e rëndë janë dy shqiptarë, të cilët gjykata i ka lënë në burg.
Ngjarja ndodhi në një lokal në Rafinë të Greqisë pak ditë më parë. Në videon e publikuar nga Protothema, shihet se si nisi sherri në lokal, dhe më pas gjithçka rezultoi fatale për Dimitris Kordas. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur dy të rinjtë shqiptarë dalin nga tualeti dhe nisin sherrin me Kordas, përcjell abcnews.al.
Viktima shihet duke i shtyrë të rinjtë, të cilët po ashtu e shtyjnë mbrapsht. Më pas ndërhyjnë pronari i lokalit dhe punonjësja për t’i ndarë. Dy 24-vjeçarë shqiptarë kanë dalë para gjykatës të premten. Njëri pretendoi se nuk kishte ndërmend të vriste viktimën dhe i dyti tha se kishte varësi serioze ndaj alkoolit.
Nëna e 42-vjeçarit që u dhunua për vdekje nga dy 24-vjeçarë në Rafina ka kërkuar burgim të përjetshëm për vrasësit e djalit të saj.
“Kam kërkuar që vrasësit e fëmijës tim të kapeshin dhe tani të gjykohen e të kalben në burg. Nëse djali tjetër do të shkonte me vëllain atë natë, mund ta kishin vrarë edhe atë”, ka thënë ajo me kërkesën që të respektohet dhimbja e familjarëve.