Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill e ka konsideruar zhgënjyes faktin që nuk ka përparim në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Ai beson se është “logjike” që tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës të zvogëlohen dhe të gjendet mënyra që të dyja palët të ecin përpara, por ka thënë se është i dekurajuar nga ngadalësimi i procesit, transmeton Reporteri.net.
Hill beson se është mirë që BE-ja ka marrë përsipër ta udhëheqë këtë proces dhe se është mirë të vazhdojë dialogu.
“Megjithatë, është e qartë për mua se ende duhet të bëhet shumë progres. Do të doja të shihja një bashkëpunim më të fortë, një kuptim të përbashkët se çfarë do të thotë të jesh fqinj”, tha Hill.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill po ashtu tha se për qytetarët e Serbisë ka një rrugë të hapur drejt Perëndimit.
Ai vlerësoi se kjo është rruga që Serbia duhet të ndjekë, dhe se është në dorën e qytetarëve të Serbisë që të bëjnë zgjidhje.
Hill përsëriti mbështetjen amerikane për nismën e “Ballkanit të Hapur”, të cilën tha se ia ka konfirmuar edhe Vuçiqit.
“Ne nuk jemi dakord për të gjitha çështjet, por sigurisht që do të vazhdojmë të flasim. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të kemi mundësi të përballemi me qëndrime për shumë çështje”, tha Hill në një intervistë për Danas.