Emri i Behgjet Pacollit jo rrallë herë gjendet në afera të dyshuara korrupsioni, pastrimi parash e krimi të organizuar, që raportohen në mediat ndërkombëtare, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Së fundi, biznesmenin kosovarë mediumi argjentinas “Infobae” e ka implikuar në dyshime për pastrim parash të krimit të organizuar në Venezuelë dhe vene tjera të Amerikës Latine.
Hulumtimi i mediumit latin flet për lidhjet e ish-Ministri të Jashtëm të Kosovës me biznesmenin nga El Salvadori, Enrique Rais, dhe dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash të krimit të organizuar përmes biznesit të naftës në Venezuelë.
Ndaj këtij hulumtimi të botuar në Argjentinë, e i cili u dha i përkthyer edhe në mediat shqiptare, ka reaguar Behgjet Pacolli.
Si zakonisht, Pacolli në reagimin e tij provon të “viktimizohet”, sikur dikush po ka tendencë ndaj tij. Flet për filma derisa vetë me reagimin e tij mundohet të krijojë drama, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Përtej shfajësimeve tjera, megjithatë, Behgjet Pacolli në reagimin e tij konfirmon njohjen me biznesmenin nga El Salvadori, Enrique Rais.
Madje, për “partnerin” e tij në krimin e dyshuar, Pacolli thotë se “nuk është si e përshkruajnë”.
“Ai jeton në Zvicër dhe për herë të parë e kam takuar gjatë vizitës sime në Salvador kur isha për njohjen e Kosovës me mikun tim, ambasadorin William Walker”, pohon Pacolli në reagimin e tij në facebook.
“Ai është meritor në kontributin që ka dhënë për njohjen e Kosovës nga Salvadori e Hondurasi”, thotë ish-kryediplomati kosovar derisa flet biznesmenin, Enrique Rais, i cili u arrestua në vendin e tij për krime mashtrimi dhe korrupsioni. /Reporteri.net/.