×
  • Lajme
  • Lajme

    Rritet vlerësimi për punën e Osmanit, bie për të Kurtit dhe Konjufcës

    Reporteri
    05 Korrik 2022 | 15:03

    Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar edicionin e 22-të të përmbledhjes Pulsi Publik.

    Të dhënat tregojnë ndryshime të lehta në kënaqësinë e njerëzve me performancën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore në Kosovë në krahasim me sondazhin e mëparshëm të kryer në tetor-nëntor 2021.

    Niveli i kënaqshmërisë me performancën e ekzekutivit kapi vlerën 47.6 përqind, çka përbën një ulje prej 0.4 pikë përqindjeje nga anketa e tetor-nëntorit (vjeshtë) 2021 kur kjo vlerë ishte 48.0 përqind.

    Nga kënaqshmëria me tre krerët kryesorë shtetërorë, qytetarët janë deklaruar më të kënaqur me punën e presidentes Vjosa Osmani, ndërkaq në krahasim me vetveten nga të dhënat paraprake, ajo ka shënuar rënie për kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Niveli i regjistruar i kënaqshmërisë me punën e Kryeministrit është 52.6% (53.2% në vjeshtën 2021), ndërsa me punën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës është 54.4% (55.4% në vjeshtën 2021).

    Niveli i kënaqshmërisë me Presidenten kapi vlerën prej 58.4%, krahasuar me shkallën e kënaqshmërisë prej 55.2% të regjistruar në vjeshtën 2021.

    Rritje pati në shkallën e kënaqshmërisë me Gjykatat dhe Zyrën e Kryeprokurorit, në nivelin prej 39.1% dhe 37.1% përkatësisht, krahasuar me 33.9% dhe 34% përkatësisht në vjeshtën e vitit 2021.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!