Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka urdhëruar mbylljen e aktivitetit “Beer and Wine Festival Prishtina”.
Shkak për këtë kanë qenë ankesat e shumta të qytetarëve për pjesëmarrje të madhe të fëmijëve dhe përdorimi e shitja e alkoolit për ta dhe incidentet që kanë ndodhur gjatë këtij aktiviteti kulturor, shkruan lajmi.net.
Kryeinspektori i tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla, ka thënë për lajmi.net, se ndaj keqpërdorueseve saktësisht ndaj organizatorëve do të merren masa ligjore.
“Këto masa nënkuptojnë që ndaj organizatorit do të dërgojmë lëndën në Gjykatë dhe Gjykata do të merret me ata”, ka treguar Syla, i cili shtoi se mbrëmë gjatë inspektimit kanë parë nga afër se si fëmijëve iu është shërbyer alkool.
Ai ka bërë të ditur për lajmi.net, se ministria nuk është kundër organizimeve të tilla por, siç u shpreh Syla, është kundër keqpërdorimit të tyre dhe shitjes së alkoolit për fëmijët nën moshën 18-vjeçare.
Lajmi.net ka siguruar edhe një video të rrahjes që ka ndodhur në festivalin e Birrës dhe të Verës gjë që ka çuar edhe në ndërhyrjen e njësive të Policisë.
Aty shihen disa persona duke u grushtuar mes vete dhe kjo ka qenë një nga arsyet e ndërprerjes së ‘Beer and Wine Festival’.
Ky aktivitet nuk do të vazhdojë as sot dhe kjo me vendim të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.