×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Drogë në formë çokollate në Shqipëri, transportohej me autobus nga Tirana në Tropojë

    Reporteri
    09 Korrik 2022 | 16:49

    Një operacion i pazakontë antidrogë është finalizuar me sukses nga policia e shtetit ditën e djeshme, ku u sekuestruan 15 pako me kanabis në formë çokollate, që po transportoheshin nga Tirana në Tropojë me anë të një autobusi.

    Në pranga ka rënë drejtuesi i autobusit A.I 43-vjeç.

    Gjatë këtij operacioni, në Kurbin, shërbimet e Policisë kanë ndaluar autobusin, ku dyshohej se ishte lënda narkotike dhe pas kontrollit në pjesën e bagazheve, në këtë autobus, është gjetur një çantë, brenda së cilës kishte 15 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e përpunuar si çokollatë, të cilat pas peshimit rezultuan rreth 3.1 kilogramë.

    Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shoferi i autobusit, shtetasi A. I. 43-vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

    Vijon puna hetimore nga ana e strukturave të Policisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme. /tch

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!