Në duar të ndërmjetësuesve të dialogut Kosovë-Serbi ka mbetur caktimi i datës së takimit të radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në Qeverinë e Kosovës flasin për mundësinë e një takimi të tillë në gjysmën e dytë të korrikut, e në shoqërinë civile nuk presin ndonjë progres.
Gjatë pjesës së dytë të korrikut, pas më shumë se një viti, në tavolinën e dialogut mund të ulen kryeministri Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Nga Qeveria kanë thënë se deri më tani nuk ka ftesë zyrtare dhe se data e takimit varet nga ndërmjetësit evropianë të këtij procesi.
“Është folur nëpër takime të ndryshme mundësia për takim e kryenegociatorëve, dhe pastaj edhe e krerëve shtetërorë, kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë. Mirëpo ende nuk ka ftesa zyrtare. Nëse do të ngjajnë këto takime, ato do të jenë në gjysmën e dytë të korrikut. Kjo varet nga ndërmjetësuesit në Bruksel, z. Borrell dhe z. Lajçak”, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi.
Një takim mes Kurtit e Vuçiqit ka kohë që është paralajmëruar.
Vetë emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se synojnë që krerët e të dyja shteteve t’i takojnë para pushimeve të verës.
“Plani ynë është që të kemi takime më të shpeshta, të rregullta, në mes të kryeministrit Kurti e presidentit Vuçiq”, pati thënë ai në fund të qershorit.
Duke pasur parasysh qëndrimet e kundërta të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka pritje të larta nga takimi i radhës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë takuar tri herë që nga korriku i vitit të kaluar, llogaritur këtu edhe darkën joformale të mbajtur në Berlin.