Vedat Muriqit i dështoi transferimi në Club Brugge së fundmi pasi, siç u tha, nuk arriti t’i kalonte vizitat mjekësore.
E tash, klubi i tij, Lazio po mendon ta sistemojë diku tjetër sulmuesin kosovar, ndërkohë që ka paralajmëruar ankesë në FIFA ndaj klubit belg.
Muriqi është rikthyer në Itali ku po ushtron i vetëm, ndërsa sot ju nënshtrua vizitave mjekësore tek Lazio, të cilat i kaloi me sukses.
Ndërkohë, mediat italiane shkruajnë se Muriqi mund të përfundojë përsëri në Mallorca, nëse s’e merr Club Brugge.
Ish-futbollisti i Rizesporit dhe i Fenerbahçes e pati një eksperiencë pozitive në Spanjë, ku i realizoi 5 gola dhe i bëri 3 asistime në 16 ndeshje me klubin ishullor, të cilin e ndihmoi që të mos binte nga liga.
Sipas “La Lazio Siamo Noi”, Lazio mund ta shesë “Piratin” në klubin e La Ligas për 7-8 milionë euro pasi paraprakisht Mallorca ishte tërhequr nga blerja e kartonit të Muriqit, për të cilin Lazio deri tash i kërkonte së paku 10 milionë euro.
Ndërkohë, interesim për 28 vjeçarin ka shfaqur edhe gjiganti turk, Galatasaray, por edhe klubi nga Championshipi anglez, Hull City, shkruan “Gazeta Express”.
Një gjë është e sigurt: Muriqi nuk do të luajë më në Lazio, ku e pati një eksperiencë dëshpëruese për një vit e gjysmë, duke i shënuar vetëm 2 gola dhe duke i bërë 2 asistime.
Lazio e kishte blerë lojtarin kosovar në verën e vitit 2020 nga Fenerbahçe për afro 20 milionë euro, ndërsa ai ka kontratë me “Biancocelesti” deri në vitin 2025./express
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.