Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se nuk po ndërmerr hapa për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve pas rritjes së çmimeve.
Ai ka thënë se ka rritje të dukshme të çmimeve prej 14% në qershorin e këtij viti në krahasim me vitin e kaluar. Sipas Hotit, rritja më e madhe ishte veçanërisht e theksuar te produktet kryesore, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Hoti ka potencuar faktin se Qeveria nuk po e hek akcizën e naftës e nuk ka rritur pagat në sektorin publik, kështu duke dështuar që t’u dalë në krahë qytetarëve të Kosovës.
“Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët. Nuk është pezulluar akciza në naftë, nuk është shtuar lista e mallrave me TVSH prej 8%, nuk janë rritur pagat në sektorin publik, nuk janë indeksuar pensionet dhe ndihma sociale“, ka shkruar ndër të tjera Hoti në Facebook. /Reporteri.net/.
Shkrimi i plotë:
Çmimet në qershor 2022 u rritën mesatarisht 14% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Por, për produktet kryesore rritja ishte shumë më e madhe:
– Vajrat dhe yndyrat ushqimore (53,8%),
– Karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (67,3%),
– Gazi (39,3%),
– Buka dhe drithërat (27,7%),
– Qumështi, djathi dhe vezët (22,3%),
– Mishi (19,6%),
– Sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (19,0%),
– Prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj. (12,8%),
– Perimet (6,8%),
– Lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (33,6%),
Sot, 12 korrik 2022, çmimi i naftës është caktuar 1.75 euro për litër. Për çdo litër të naftës, qeveria mbledh 61 centë. Sikur Qeveria të pezullonte akcizën në naftë, sot çmimi i naftës do të bëhej 1.39 euro për litër.
Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët.
Nuk është pezulluar akciza në naftë, nuk është shtuar lista e mallrave me TVSH prej 8%, nuk janë rritur pagat në sektorin publik, nuk janë indeksuar pensionet dhe ndihma sociale.