×
  • Lajme
  • Sport
  • Lajme

    Pak ditë pasi u përfol për dyshime për pastrim parash të krimit, Behgjet Pacolli shpreh interesim ta blejë FC Prishtinën

    Reporteri
    12 Korrik 2022 | 21:30

    Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka shprehur interesim që ta blejë Klubin Futbollistik “Prishtina”. Vetëm pak ditë më parë mediat në Venezuelë e përmendën Pacollin si të dyshuar për përfshirje në afera korruptive me politikanë të lartë të vendit latin, por dhe në bashkëpunim e pastrim parash të krimit të organizuar në vendet e Amerikës Latine, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Klubi Futbollistik “Prishtina” mund të bëhet me pronar të ri apo aksionar.

    Remzi Ejupi, aksionari i madh i FC Prishtinës konfirmoi se ka të interesuar, ka njerëz dhe biznesmen të njohur e biznese të mëdha që janë të interesuar të blejnë aksione në FC Prishtina, në mënyrë që të rriten investimet në klub dhe klubi 100 vjeç të ecë përpara.

    E një prej atyre që ka shprehur interesim për këtë klub është edhe kreu i AKR’së dhe biznesmeni Behgjet Pacolli.

    Mundësinë e inkuadrimit të Pacollit në FC Prishtina e ka konfirmuar edhe bashkëpunëtori shumë i afërt i Pacollit, Jetlir Zyberaj.

    “Nëse ka një projekt të qartë zhvillimor pse jo. Zoti Pacolli ka raporte te mira me të gjithë e veçanërisht me rininë dhe qytetarët, andaj investimi në futboll është i mundur. Për momentin çka mund të them është se vullneti i zotit Pacolli ekziston dhe Kosova mund të shndërrohet në një platforme të fuqishme futbollistike në rajon, dhe si akademi që furnizon Evropën me futbollistë cilësorë. Ky është në fakt edhe motivi kryesor që vendit do t’i sillte ndër të tjera edhe zhvillim ekonomik, ngase e dimë që futbolli prodhon përveç kënaqësisë edhe të hyra për ekonominë e vendit”, ka deklaruar Zyberaj.

    Zyberaj ka thënë se Pacolli ka qenë gjithmonë i përkushtuar të investojë në sport.

    “Presidenti Pacolli gjithmonë ka qenë i përkushtuar që të investojë në sport, ngase nëpërmjet sportit, ku Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm, varet edhe progresi ekonomik dhe shoqëror i vendit”, deklaroi Zyberaj.

    Disa ditë më parë, emri i Pacollit u lakua në mediat venezuelase, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Pacolli përmendet nga mediat në Venezuelë si i përfshirë në afera korruptive me politikanë të lartë të vendit latin, por dhe në bashkëpunim me krimin e organizuar.

    Mediat latine raportojnë për të se është bashkëpunëtor i biznesmenit Enrique Rais në kompaninë “Alba Petroleos”, i cili prej vitit 2017 është i shpallur në kërkim nga autoritetet venezueliane.

    Në raportin e publikuar, Pacolli përmendet si i përfshirë në një skandal korrupsioni.

    “Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli, i zhytur në një skandal korrupsioni për ndërtimin e një aeroporti në Shqipëri, ishte partner i biznesmenit salvadorian Enrique Rais, i cili nga ana e tij ka lidhje me presidentin Nayib Bukele.

    Sipas raportit të OCCRP, Pacolli “është i njohur për lidhjet e tij të dyshuara me figura të krimit të organizuar, përfshirë Enrique Rais, një mashtrues dhe trafikant kokaine të njohur nga El Salvadori””, raportonin mediat në Venezuelë.

    Sipas mediave latine, Pacolli ishte drejtor i “Rais Group International LLC”, konsorcium ky që raportohet se po hetohej për “lidhje me grupe të krimit të organizuar”.

    “Dokumentet e cituara në raport tregojnë se në vitin 2011 Pacolli ishte drejtor i grupit Rais Group International LLC, me seli në Shtetet e Bashkuara, ku Enrique Rais ishte aksionari kryesor. Atë vit, Rais Group tashmë po hetohej nga autoritetet amerikane, të cilët dyshonin se konsorciumi kishte “lidhje me grupe të krimit të organizuar, kompani guaska, kartele (drogë) dhe politikanë të korruptuar”, thuhej tutje në raportin e mediave latine.

    Në raportimin e mediave venezuelase, flitej edhe për rafineri nafte në Kosovë, ku ndërlidhet Pacolli, mirëpo rafineri të tilla nafte në Kosovë, nuk ka.

    “Rrjeti i kompanive të lidhura me Pacollin dhe Rais, nga Evropa në El Salvador, përfshin kompani që kryen transaksione të hetuara si pastrim të mundshëm të miliona dollarëve nga nafta shtetërore venezueliane që, sipas një hetimi nga autoritetet amerikane dhe një tjetër nga zyra e prokurorit të Salvadorit. Përfitoi edhe presidenti Nayib Bukele”, thuhet tutje në raport.

    Këto raportime janë mohuar nga Pacolli, duke thënë se “shpifësit do të dalin para drejtësisë”.

    “Po, më duket si në një film kur lexoj artikuj të sponsorizuar nga njerëz të paguar nga ‘nuk e di kush’. Është interesant se si ‘gazetat’ kanë zbuluar që unë kam punuar si drejtor i kompanisë, diku në Amerikën Latine (u largova nga Mabetex në Lugano dhe shkova në Salvador për të punuar për rrogë. Shita ose bleva naftë për rafinerinë më të madhe në botë që ‘ndodhet’ në malet e Marecit ne Kosovë. Zbulim e jo mahi ! … e dikush paska zbuluar skandalin për Aeroportin e Vlorës….!!! Dëgjoni…, e tërë e vërteta është kjo: Nuk ka në Kosovë rafineri, shpifësit do të dalin para drejtësisë. Aeroporti i Vlorës po ndërtohet”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

    Ndryshe, Pacolli edhe në të kaluarën nëpër qarqet e futbollit është përmendur si një njeri që mund të kontribuojë në futboll.

    Madje ka pasur nga ata që e kanë përmendur edhe si një kandidat të mundshëm për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës në të kaluarën.

    Ka pasur edhe zëra që e kanë ndërlidhur mundësinë e investimit të tij në ndonjë klub futbolli, duke e marrë parasysh pasurinë e madhe të tij dhe nevojën e futbollit të Kosovës për investime, pasi që dihet që ndër vite klubet e futbollit përballen me kriza financiare.

    Edhe pse Pacolli më shumë njihet si biznesmen dhe politikan, e kaluara e tij kohë pas kohe është ndërlidhur edhe me sportin.

    Me investimet e tij, para disa vjetëve kur basketbolli i Kosovës kishte prekur kulmin, firma e Pacollit, Mabetex e kishte sponzoruar klubin e Mabetexit, i cili në atë kohë bënte investime marramendëse.

    Ndërkohë si president i Kosovës, vite më parë kishte dekoruar legjendën e futbollit gjerman dhe botëror, Franc Beckenbauerin me çmimin “Ambasador Nderi i Kosovës”.

    Madje, vizita e Beckenbauerit ishte mundësuar pikërisht nga Pacolli, në një kohë kur futbolli i Kosovës nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s dhe e izoluar nga katër anët.

    Mirëpo, Pacolli u përmend për mbështetje edhe në disa sporte tjera individuale. Ai ka përkrahur herë pas here sportistë të ndryshëm për t’i ndjekur ëndrrat e tyre.

    Pacolli, më i pasuri në Kosovë

    Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, është zyrtarisht njeriu më i pasur në Kosovë. Pasuria e tij totale sillet diku rreth 743 milionë euro.

    Pacolli ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë 210 milionë euro. Këtu përfshihen shtëpi, toka dhe hotelet. Vetëm një shtëpi e tij kushton gati 18 milionë euro.

    Për hotelin “Swiss Diamond” ka thënë se ka vlerë 42 milionë euro.

    Tek pasuria e luajtshme, Pacolli ka deklaruar avionin, për të cilin thotë se kushton 8 milionë euro. Përveç avionit, ka deklaruar edhe tetë veturat e tij.

    Në total, vlera e pasurive të luajtshme sillet rreth 8 milionë e 504 mijë euro.

    Pacolli posedon edhe shumë aksione në shoqëri komerciale. Vlera e tyre sillet rreth 506 milionë euro.

    Vetëm në Mabatex Group ka aksione në vlerë 200 milionë euro, për të cilat ka deklaruar pronësi të përbashkët.

    Shuma e parave që Pacolli e ka në banka sillet rreth 10 milionë euro. Por, milioneri Pacolli ka edhe një kredi.

    Ai ka deklaruar një kredi në vlerë 287 mijë e 971 euro, që thotë se e ka marrë për investime private. Ka afat që ta kthejë deri në vitin 2025.

    Ndërkohë, si të hyra vjetore i ka deklaruar gati 4 milionë euro./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!