×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti shkruan në librin e zisë të Shinzo Abes, përkujton një nismë të tij për Ballkanin

    Reporteri
    14 Korrik 2022 | 13:00

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar jetën dhe veprimtarinë e ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe, duke shkruar në librin e tij të zisë. 

    Kurti u prit nga ambasadori i Japonisë, Akira Mizutani, me ç’rast shprehu ngushëllime të sinqerta për vdekjen e Abes në emër të tijin dhe të qytetarëve të Kosovës, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    Në librin e zisë, Kryeministri Kurti kujtoi një nismë të Shinzo Abes për Ballkanin.

    “Nisma e tij për Ballkanin (“Iniciativa për Bashkëpunim për Ballkanin Perëndimor”) e përfshiu Kosovën në mesin e shtatë vendeve dhe vazhdon të jetë aktive me mbështetjen dhe ndihmën e Qeverisë së Japonisë. Gjatë kohës së kryeministrit Abe, Japonia ishte ndër pesë kontribuesit kryesorë në Kosovë në arsim, mjedis, emergjenca dhe fatkeqësi natyrore, televizion publik, trajnim të zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë dhe investime të tjera.”, shkroi Kurti në librin e zisë, njofton Zyra e Kryeministrit.

    Kujtojmë se Shinzo Abe u vra në një atentat para disa ditësh. /Reporteri.net/.

    Shkrimi i plotë i Kurtit në librin e zisë:

    Në emrin tim, dhe në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet tona më të thella për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Shinzo Abe.

    Puna e zotit Abe për demokracinë, lirinë dhe sigurinë në Japoni dhe në botë ishte e jashtëzakonshme. Ai ishte një burrë shteti që punoi pa u lodhur për të çuar përpara një vizion të përbashkët për një botë të lirë dhe të hapur.

    Kryeministri Shinzo Abe dha kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Japonisë dhe Republikës së Kosovës. Ai ishte një mik dhe partner i madh i vendit dhe popullit tonë. Vendimi për hapjen dhe hapja e Ambasadës së Japonisë në Kosovë është bërë gjatë mandatit të z. Abe si kryeministër. Nisma e tij për Ballkanin (“Iniciativa për Bashkëpunim për Ballkanin Perëndimor”) e përfshiu Kosovën në mesin e shtatë vendeve dhe vazhdon të jetë aktive me mbështetjen dhe ndihmën e Qeverisë së Japonisë. Gjatë kohës së kryeministrit Abe, Japonia ishte ndër pesë kontribuesit kryesorë në Kosovë në arsim, mjedis, emergjenca dhe fatkeqësi natyrore, televizion publik, trajnim të zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë dhe investime të tjera.

    Do ta nderojmë me mirënjohje të thellë kujtimin për të.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!