×
  • Lajme
  • Rajon

    Sulm kibernetik ndaj shërbimeve qeveritare, Mali i Zi fajëson shërbimet ruse

    Reporteri
    26 Gusht 2022 | 16:40

    Agjencia e Sigurisë së Malit të Zi (ANB) konfirmoi më 26 gusht për Radion Evropa e Lirë se shërbimet ruse ishin përgjegjëse për një sulm të fuqishëm kibernetik që preku të gjithë strukturën shtetërore të informacionit të Qeverisë së Malit të Zi.

    Sipas agjencisë, sulmi i së premtes ishte i parapërgatitur prej kohësh dhe se një sulm i të tilla përmasave ishte i paprecedentë në shtetin ballkanik.

    “Infrastruktura kritike shtetërore është sulmuar”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Agjencisë së Sigurisë së Malit të Zi.

    Sulmi i fundit kibernetik në infrastrukturën qeveritare të Malit të Zi ndodhi herët në mëngjesin e së premtes, dhe agjencitë qeveritare nuk e kanë bërë ende të ditur shkallën e dëmit.

    Më herët, kryeministri me mandat teknik, Dritan Abazoviq, konfirmoi se qeveria e Malit të Zi është sulmuar nga hakerat për herë të dytë në pesë ditë, duke i quajtur sulmet të motivuara politikisht.

    “Në gjykimin tim modest, ky është një sulm i motivuar politikisht,” tha Abazoviq, duke kujtuar edhe sulmin e mëparshëm kibernetik në 23 gusht pasi qeveria e tij u rrëzua pas mocionit të mosbesimit.

    Për shkak të sulmit të fundit kibernetik, qeveria e Malit të Zi ka caktuar një seancë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Informacionit.

    Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj ishte i pari që e bëri njoftimin mëngjesin e sotëm në llogarinë e tij në Twitter, kur deklaroi se Mali i Zi ishte i ekspozuar ndaj një serie të re sulmesh kibernetike mbi infrastrukturën informative të qeverisë.

    “Objektivi kryesor është struktura e organeve shtetërore”, tha Dukaj, duke shtuar se “aleatët janë informuar” për sulmet.

    Zyra e Brendshme dhe prokuroria po hetojnë sulmet e deritanishme në Infrastrukturën Informative të Qeverisë së Malit të Zi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!