Autor: Xhezair Dashi
Një rrëfim i madh për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë i shoqëruar me kundërshtime të pakompromista ndaj negociatave Kosovë-Serbi ishte gjithkund në diskursin politik kosovar deri para disa viteve, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, ishin artikuluesit dhe bartësit gjenuinë të këtij narracioni dhe mënyre të menduarit. Shpeshherë, deri në proporcione absurditeti.
Aq e lehtë ishte, diskursivisht, të arrihej bashkimi me Shqipërinë. Duhej vetëm një backspace, heqje të një neni në Kushtetutën e Kosovës. “Sepse është shkelje e të drejtës për vetëvendosje të jashtme të popullit të Kosovës”, thuhej.
Sa për negociatat me Serbinë – prej refuzimit kategorik, deri në shndërrim në prioritet të gjashtë ose shtatë, e deri te preokupimi kryesor me të – është një trajektore e mbarënjohur që s’kërkon shumë rikujtim të saj.
Në vitin 2013, profesori amerikan në John Hopkins University, Edward Joseph, i ishte drejtuar me një letër [botuar në Peacefare.net] Albin Kurtit dhe Shpend Ahmetit, saktësisht për çështjet në fjalë.
Përmbajtja e asaj letre, ishte këshilluese dhe përmbante pesë pika. Parë në retrospektivë, shumicën e atyre këshillave Kurti i ka përvetësuar.
Bashkimi me Shqipërinë, shprehet tani Kurti, nuk është i mundur ngase nuk na lejon Kushtetuta.
Dialogut me Serbinë, përkatësisht Marrëveshjes së Brukselin, Kurti, për ta cituar Besnik Bislimin, “s’i hiqet e as shtohet asnjë pikë e as presje”.
Kurti, tani kryeministër, ka zbatuar marrëveshjet për targat, për lëvizjen e lirë, për energjinë – të marrëveshjeve të cilat kërkonte të rishikoheshin në tërësi.
Të kthehemi te letra.
Këto, janë pesë pikat e nënvizuara të Joseph-it drejtuar Kurtit dhe Ahmetit:
“Uashigntoni është një qytet që dashuron dallimet dhe debatet. Fakti se ka pothuajse unanimitet të plotë ndaj këmbënguljes adamante tuajës rreth bashkimit me Shqipërinë është befasuese. Kjo sugjeron që shumë njerëz që e duan Kosovën në Uashington mendojnë se kjo është një ide me të vërtetë budallallëk. Liria e fjalës ju lejon të avanconi këtë pozicion. Por duke bërë kështu bëhet skajshmërisht e vështirë që ju të paraqiteni si figurë e përgjegjshme me të cilin ShBA dëshiron të kryejë punë”.
“Dhe, kjo pikë, eventualisht, do të bëhet e qartë edhe për votuesit shqiptarë të Kosovës që do të shohin tingëlliinë sfiduees të ‘bashkimit me Shqipërinë’ shumë më pak tërheqëse kur të kuptojnë se kjo nënkupton dëm substancial të marrëdhënies më të rëndësishme të Kosovës: atë me Shtetet e Bashkura të Amerikës”.
“Edhe nëse ju i fitoni zgjedhjet, ju do të humbisni kredibilitetin kur propozimi juaj për bashkim [me Shqipërinë] nuk shkon askund”.
Kjo është njëra pjesë e qortimit të Joseph ndaj dyshes Kurti-Ahmeti, pas vizitës së tyre në SAIS, në Universitetin John Hopkins në vitin 2013.
Këshilla tjetër ka të bëjë me atë që Kurti shprehej rreth “pavarësisë pa substancë të Kosovës” ose “pavarësisë së kufizuar”.
“Ju argumentoni se Kosova nuk po lejohet të realizojë pavarësinë e plotë të saj sepse nuk lejohet të bashkohet me Shqipërinë (sepse kështu duan shumica e shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri. Mirëpo, e vërteta është se as Kosova e asnjë vend tjeter nuk mund të bëjë çfarë duan shumica e qytetarëve të saj”.
“Ka rregulla formale dhe joformale shtrënguese që operojnë në të gjitha vendet, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara”.
Prandaj, thotë Joseph, “në këtë rast, ju nuk keni bazë të ankoheni”.
“Kosova i detyrohet pavarësinë e saj ShBA-së, e cila udhëhoqi NATO-n në fushatën ajrore që i dha fund kontrollit serb mbi Kosovën; dhe Uashingtoni e avancoi këtë pavarësi me aleatë kyçë evropianë ndaj kundërshtimit rus dhe serb. Për më tepër, deri sot, Kosova i detyrohet sigurinë e saj NATO-s. E tëra kjo, krijon një bazë të kuptueshme te Uashingtoni dhe të tjerët të kufizojë ambicjet nacionaliste të Kosovës”.
“Këtë duhet ta pranoni si fakt i thjeshtë i jetës”.
“Mund të mos ju pëlqejë ‘Marrëveshja e Parimeve’ e 19 prillit [2013] e nënshkruar mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është e drejta juaj. Ju mund të vazhdoni të ankoheni për marrëveshjen nëse dëshironi. Mund të insistoni që Serbia në asnjë mënyrë nuk e ka njohur Kosovën. Ju mund të vazhdoni të shtyni për bashkim me Shqipërinë”.
“Por nëse vazhdoni t’i bëni të gjitha këto gjëra, ju po ndihmoni ata që argumentojnë se Kosova nuk duhet të njihet. Dhe duke e bërë këtë, ju nuk avanconi asnjë nga synimet që keni për zhvillimin e Kosovës. Përkundrazi, ju do të ndihmoni që Kosova të jetë e margjinalizuar”.
“Në vend të kësaj, ju duhet të ndryshoni qasjen tuaj – menjëherë. Nuk duhet ta pëlqesh marrëveshjen e 19 prillit apo ta përkrahësh publikisht, por duhet të përqendrohesh të shohësh që ajo të zbatohet në mënyra që mbrojnë interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”.
“Marrëveshja është komplekse dhe ka vend për gabime; ju mund të jepni një kontribut të jashtëzakonshëm duke paraqitur propozime konstruktive – që marrin parasysh edhe shqetësimet legjitime të qytetarëve serbë të Kosovës”, konkludonte Edward Joseph. /Reporteri.net/.