Tri nga gjashtë universitetet publike Prizrenit, Pejës e Mitrovicës që u hapën në kohë fushate elektorale nuk do të mund të regjistrojnë studentë për këtë vit akademik.
Këto tre universitete u mbyllën pas vendimit që ka marrë sot Këshilli Shtetëror i Cilësisë pas një raporti të ekspertëve ndërkombëtarë që kërkohej të mos akreditoheshin tri Universitete publike, për të cilin raport kishte shkruar Reporteri.net.
Lidhur me këtë vendim Reporteri.net ka biseduar me ekspertin e fushës së arsimit, Dukagjin Popovci, i cili thotë se nuk habitet nga vlerësimi se tre institucionet në fjalë nuk i plotësojnë kushtet për akreditim institucional.
“Edhe pse ende mungon informacioni i plotë rreth vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, nuk habitë vlerësimi se këto tri institucione nuk i plotësojnë kushtet për akreditim institucional. Sikur procesi i vlerësimit të ishte zhvilluar si duhet deri tani besoj se edhe për shumë institucione të tjera private dhe publike do të merrej një vendim i njëjtë, pasi i gjithë sektori i arsimit të lartë në Kosovë lë mjaft për të dëshiruar”, thotë Popovci për Reporteri.net.
Ai shton se të gjitha universitetit në vend, përveç atij të Prishtinës janë krijuar pa përgatitjet e duhura dhe me qëllim të përfitimit të votave.
“Nuk duhet harruar se të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë, përveç Universitetit të Prishtinës, janë krijuar pa përgatitjet e duhura dhe me qëllim të përfitimit të votave. Për shkak të kësaj ka pasur presione direkte dhe indirekte që akreditimi të bëhet me çdo kusht pavarësisht nëse janë plotësuar disa kritere themelore akademike ose jo dhe tani ka ardhur një moment kur duhet të ballafaqohemi me pasojat e veprimeve të tilla”, thotë Popovci.
Ai thotë se pas vendimit mbetet të lexohet raporti i ekspertëve që e kanë bërë vlerësimin dhe të nxirren përfundime, ndërsa institucioneve të prekura ju mbetet ta ndjekin rrugën ligjore dhe t’i evitojnë mangësitë që ju vihen në dukje.
“Duhet hequr dorë nga praktika e shprehjes së mllefit ndaj Këshilli Shtetëror i Cilësisë ose ekspertëve, sepse ata vetëm po e kryejnë detyrën që u është besuar. Nuk besoj se dikush ka çfarëdo agjende të fshehur, përveç përcaktimit për t’i respektuar disa kritere të vendosura me kohë, e që shumë shpesh nuk janë respektuar. Është e sigurt 100% se ndërhyrja politike eventuale në këtë proces do të rezultojë me largimin e menjëhershëm të AKA nga Rrjeti Evropian i Agejncive për Sigurimin e Cilësisë (ENQA), pra një lloj etiketimi dhe izolimi të arsimit të lartë nga gjithë Evropa”, thotë Popovci.
/Reporteri.net/.